Rreth gjysmë milioni njerëz infektohen me koronavirus në ditë vetëm në qytetin kinez Qingdao, tha zyrtari shëndetësor i qytetit, duke thënë në një artikull që u censurua shpejt se statistikat zyrtare nuk pasqyrojnë valën e paprecedentë të infeksioneve që goditi vendin.
Në fillim të dhjetorit, për shkak të pakënaqësisë në rritje të popullsisë, Kina pa njoftim paraprak anuloi shumicën e masave të rrepta shëndetësore të zbatuara si pjesë e politikës “zero Covid”, të cilën e kishte zbatuar që nga viti 2020.
Karantinat dhe kufizimet e udhëtimit, të cilat ndikuan ndjeshëm edhe në ekonominë kineze, janë hequr.
Prej asaj kohe ka pasur një shpërthim të infeksioneve me Covid dhe një pjesë e madhe e popullsisë është lënë të kujdeset për veten, në një kohë kur ka mungesë të antipiretikëve dhe autotesteve për shkak të rritjes së madhe të kërkesës.
Në të gjithë vendin, autoritetet e qytetit po përpiqen të përballojnë rishfaqjen e infeksionit, i cili ka boshatisur raftet e farmacive dhe mbushur spitalet, dhe krematoriumet duket se janë të tejmbushur, raportoi agjencia e lajmeve AFP.
Për shkak të heqjes së testimit të detyrueshëm, është shumë e vështirë, madje e pamundur, të vlerësohet numri i rasteve të infeksionit dhe autoritetet kanë ndryshuar metodologjinë për regjistrimin e vdekjeve nga infeksioni. Tani e tutje, vetëm personat që kanë vdekur drejtpërdrejt nga insuficienca respiratore e lidhur me Covid-19 janë të listuara në statistika.
Sipas disa ekspertëve, kjo metodologji synon të ulë numrin e vdekjeve për shkak të pandemisë.
Në qytetin Qingdao në lindje të vendit, një media e drejtuar nga Partia Komuniste të premten citoi të dhëna nga zyrtari shëndetësor i qytetit, sipas të cilit qyteti port regjistron midis 490,000 dhe 530,000 raste të reja të infeksionit në ditë.
Qyteti me rreth 10 milionë banorë po përballet me transmetimin e shpejtë të një infeksioni që po i afrohet kulmit të tij, tha Bo Tao. Ai tha se shkalla e infeksionit duhet të rritet edhe 10 për qind gjatë fundjavës.
Artikulli u mor nga një sërë mediash të tjera, por u ndryshua sot në mëngjes për të hequr shifrat.
Ministria kineze e Shëndetësisë njoftoi sot se një ditë më parë janë regjistruar 4,103 raste të reja të infektimit me Covid në të gjithë vendin dhe se nuk ka pasur vdekje të reja.
Në Shandong, provinca ku ndodhet qyteti i Qingdao, autoritetet kanë regjistruar zyrtarisht vetëm 31 raste të reja të infeksionit.
Qeveria kineze ka kontroll të rreptë mbi mediat, kështu që përmbajtja që konsiderohet e ndjeshme politikisht është tërhequr.
Shumica e botimeve qeveritare minimizojnë ashpërsinë e valës së infeksioneve, duke e përshkruar braktisjen e politikës “zero covid” si një lëvizje logjike dhe të kontrolluar.
Edhe pse disa media flasin për mungesë të barnave dhe spitaleve, të dhënat apo vlerësimet për numrin aktual të rasteve të infeksionit janë të rralla.
Qeveria e provincës lindore të Jiangxi njoftoi dje në një mesazh nëpërmjet rrjeteve sociale se 80 për qind e popullsisë së saj, ose rreth 36 milionë njerëz, do të infektohen deri në mars.
Më shumë se 18,000 pacientë të infektuar me Covid janë pranuar në institucionet kryesore shëndetësore të asaj krahine në dy javët e fundit, dhe gati 500 janë raste të rënda, por nuk ka asnjë vdekje, thuhet në deklaratë./FolDrejt/