Glauk Konjufca sot bëri nderime në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël.
Atje Konjufca ishte bashkë me kryeministrin Albin Kurti, nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, transmeton Fol Drejt.
Në një postim në Facebook, Konjufca është shprehur:
“Sot, në 23 vjetorin e masakrave të tmerrshme në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, me dhembje përkujtuam më shumë se 350 banorë, përfshirë edhe gra e fëmijë, të vrarë, të masakruar dhe të zhdukur me dhunë nga forcat pushtuese serbe, më 25, 26 dhe 27 mars 1999.
Masakrat në fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, ku dhjetëra familje shqiptare mbetën pa asnjë mashkull, shënojnë vrasjet masive me përmasa gjenocidi.
Plaga e parë është masakra e përjetuar nga banorët e pambrojtur, plaga e dytë janë të zhdukurit me dhunë dhe e treta mungesa e drejtësisë për viktimat dhe familjarët e tyre. Dhe jo vetëm për ta, këto vazhdojnë të jenë plagë të hapura në trupin e popullit dhe shtetit tonë, përderisa nuk ndëshkohen kryerësit e gjenocidit në Kosovë.
Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës!”/FolDrejt/