Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar 116 civilët e vrarë në Studime të Vushtrrisë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka bërë një shkrim përkujtues.
“Sot, në 24 vjetorin e rënies, me dhembje i përkujtojmë 116 civilët shqiptarë të masakrës së Studimes, të kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë.
Më 2 maj të vitit 1999, ushtarët dhe policët serbë ndanë nga kolona e popullatës që po dëbohej për në Shqipëri fëmijë, burra, gra dhe pleq dhe i pushkatuan e masakruan në mënyrën më mizore. Në mesin e tyre edhe një grua shtatzënë.
Serbia agresore në vazhdimësi i ka mohuar dhe vazhdon t’i mohojë krimet e gjenocidit që ka para syve të botës gjatë luftës në Kosovë. Por ne nuk do të heqim dorë nga drejtësia dhe llogaridhënia. Sepse nuk mund të lejojmë që kriminelët e masakrës së Studimes dhe të gjitha masakrave e gjenocidit në Kosovë t’i shpëtojnë ndëshkimit. Do të punojmë që kriminelët të përgjigjen para ligjit dhe të dënohen për krimet e kryera.
Të gjithë bashkë duhet të jemi zëri i drejtësisë dhe zëri i familjeve të prekura, duke i kujtuar këto masakra si dëshmi e vrasjeve masive të shqiptarëve dhe gjenocidit të kryer nga Serbia”, ka shkruar kryeparlamentari Glauk Konjufca, transmeton Fol Drejt.