Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në Konferencën Parlamentare Ndërkombëtare “E Ardhmja e Transportit”, e cila po mbahet sot në Prishtinë, nën organizimin e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung.
Konferencën e hapi kryetarja e komisionit, Fitore Pacolli Dalipi, e cila foli për rëndësinë e kësaj konference dhe rezultatet e synuara, transmeton Fol Drejt.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fjalën e tij para të pranishmëve, e konsideroi të një rëndësie të veçantë mbajtjen e kësaj konference.
“Tema të cilën po e trajtojmë sot është shumë e rëndësishme dhe ka marrë vëmendje tejet të madhe, sidomos pas zhvillimeve të fundit që po i shohim në botë, e veçanërisht agresionit rus në Ukrainë”, theksoi kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit tha se çdoherë kur mendohet dhe diskutohet rreth transportit, duhet të mendohet për zhvillimin e qëndrueshëm i cili, sipas tij, kërkon edhe bashkëpunim mes palëve dhe sektorëve të ndryshëm, duke qenë në harmoni të plotë me komunitetin.
“Rrugët janë testamenti më i vjetër i njerëzimit për shkak të nevojës së njerëzve që të jenë të lidhur mesvete”, theksoi kryetari Konjufca.
Konferenca vazhdoi punimet me penalistët ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvojat e tyre nga shtetet prej nga vijnë, për temën në fjalë./FolDrejt/