fbpx
E premte, 22 Nëntor, 2024

“Goal” e krahason Dijon Kamerin me Bruno Fernandesin

Lexoni edhe..

Talenti shqiptar, Dijon Kameri, tashmë është duke bërë vend në ekipin e parë të Salzburgut, pasi ishte nga yjet kryesore në finalen e edicionit të kaluar në finalen e ‘UEFA Youth League’.

Red Bull Salzburgu ka një strategji të qartë kur është fjala për zhvillimin e të rinjve të talentuar duke i rekrutuar në moshë të hershme, duke u dhënë mundësi të zhvillohen dhe të luajnë në skenën evropiane, para se t’i shesë për të përfituar shuma të majme.

Erling Haaland është fytyra kryesore e këtij procesi, derisa Patson Daka, Karim Adeyemi e Benjamin Sesko, janë dëshmi se ky rrugëtim mbetet i fortë.

Por, ajo që klubi austriak nuk ka reputacion të fortë, është prodhimi i lojtarëve që nga fëmijëria dhe ngritja e mëtutjeshme në nivelet e akademisë, para se të përfshihen në ekipin e parë.

Megjithatë, Dijon Kameri mund ta thyejë këtë rregull. 18-vjeçari ka depërtuar në ekipin e parë këtë sezon dhe tashmë po lë përshtypje te kampioni austriak me aftësitë e tij të mrekullueshme.

Goal sjell një artikull se kush është mesfushori i talentuar dhe çfarë e bën aq të veçantë…

Ku filloi gjithçka

I lindur në Austrinë lindore dhe me origjinë nga Kosova, talenti i Dijonit për herë të parë ra në sy kur luante në turnetë shkollore në moshën shtatëvjeçare.

Zbuluesit e talentëve të Salzburgut i vërejtën cilësitë e tij dhe e ftuar për ta provuar, para se ta përfshihen në sistemin e Akademisë së klubit në vitin 2012.

Kameri – i cili joshi interesimin e klubeve tjera evropiane derisa po përparonte në vitet në vijim – gradualisht u përfshi në grupmoshat e ndryshme duke debutuar për ekipin U-18 si 16 vjeçar në fillim të sezonin 2020/2021.

Ai ishte kapiten i skuadrës së Austrisë U-17 gjatë të njëjës kohë, meqenëse konsiderohej ndër talentët më të jashtëzakonshëm të gjeneratës së tij.

Depërtimi

Si shumë lojtarë të rinj të Salzburgut – qoftë të rritur në klub apo të rekrutuar – përvoja e parë e Kamerit në futbollin senior erdhi për FC Liefering, klubin nga liga e dytë që shërben si ekip rezervë i Salzburgut.

Mesfushori debutoi në gusht të vitit 2021 dhe ishte startues i rregullt përgjatë edicionit të kaluar, megjithëse statistikat e tij nuk bien shumë në sy – shënoi vetëm një gol dhe prodhoi katër asistiume në 22 ndeshje të zhvilluara.

Mirëpo, ishte ndryshe në ‘UEFA Youth League’, pasi që vlera e tij u rrit dukshëm falë një numri të paraqitjeve mbresëlënëse duke i ndihmuar skuadrës të kualifikohej në finale.

Sërish, aftësia sulmuese e tij nuk dha statistika të dukshme – dy gola (duke përfshirë një supergol në gjysmëfinale ndaj Atletico Madridit) dhe dy asistime në tetë ndeshje të zhvilluara.

Por, aftësia e tij për diktuar lojën me top dhe për të nxitur presionin pa top, i mundësoi ekipit austriak që të përparonin gjatë garës.

Dhe, përkundër se Salzburgu u nënshtrua nga Benfica në finale (6-0), paraqitjet e Kamerit bënë që ai të ishte temë në mediat sportive dhe të tërhiqte interesimin e zbuluesve të talentëve.

Sidoqoftë, ishte paksa befasi që iu dha kontratë e re katërvjeçare në verën e këtij viti, ndërkohë që u ngrit në ekipin e parë.

Si po shkojnë gjërat

Dijoni nuk u desh të priste shumë për të debutuar në ekipin e parë dhe u sigurua që të mbahej mend, pasi shënoi dhe asistoi brenda 24 minutave sa luajti si zëvendësues ndaj Austria Lustenau më 17 gusht.

Ai vazhdoi me paraqitje të mira duke shënuar gol të bukur në Kupën e Austrisë në ndeshjen e parë që luajti si startues dhe për një kohë të shkurtë siguroi besimin e trajnerit Matthias Jaissle.

Besimi ishte i qartë kur Kameri u përfshi në formacioni startues të ndeshjes së parë në Ligën e Kampionëve këtë sezon duke e bërë austriakun e dytë më të ri që startonte në një sfidë të garës më të madhe evropiane, pas David Alabas.

Ai po ashtu u inkuadrua nga banka rezervë në barazimin ndaj Chelseat në Stamford Bridge, por më pas u lëndua në shpatull për të munguar në disa ndeshje, porse u kthye sërish për të luajtur disa minuta ndaj Bluve në humbjen prej 2-1 në Red Bull Arena.

Pikat më të forta

Një mesfushor me këmbën e djathtë, i cili mund të luajë si Nr.10 ose Nr.8, ndërsa veprimet që përcaktojnë lojën e Kamerit janë pasimet.

Pavarësisht se ku e merr topin në fushë, mendimi i parë i 18-vjeçarit është gjithmonë të shikojë përpara dhe të shohë nëse mund të pasojë te sulmuesi pas mbrojtjes; qoftë me topa të ulët apo me harkime, syri i tij për hapësirën më të vogël që ta kalojë topin, është mbresëlënës për një lojtar me kaq papërvojë.

Ai posedon gjithashtu aftësi të shkëlqyera për të goditur nga distanca, ndërsa vitet e kaluara në sistemin e Salzburgut e bëjnë një eksponent të jashtëzakonshëm për presion të lartë, pasi ai mund të shihet rregullisht duke ua grabitur topin mbrojtësve kundërshtarë ose mesfushorëve në pozicione të rrezikshme.

Hapësira për përmirësim

Nëse ka një aspekt të lojës që Kameri duhet ta përmirësojë, është numri i golave dhe asistimet e tij, veçanërisht duke pasur parasysh se sa ndikim mund të ketë në të tretën e fundit të fushës.

Natyrisht, analizat moderne mund të matin ndikimin e një lojtari pa statistika të tilla të papërpunuara, por nuk ka dyshim se lojtarët më të mirë janë ata që japin rregullisht kontribute të drejtpërdrejta që topi të shkojë në rrjetë.

Në të vërtetë, Dijoni mund të bëjë pak më shumë kur vjen puna për të krijuar shanse për të tjerët me asistime ose duke qenë personi që e përfundon rastin.

Shumë nga goditjet e tij vijnë nga distanca të gjata dhe për ta çuar lojën në një nivel tjetër, ai ka të ngjarë të mësojë të futet në zonën e penalltisë më rregullisht për t’u dhënë fundin lëvizjeve në të cilat mund të ketë qenë i përfshirë më herët në ndërtimin e aksionit.

‘Bruno Fernandes i ardhshëm’?

Megjithëse nuk është një krahasim një me një, ka diçka nga Fernandes për mënyrën se si Kameri vazhdimisht përpiqet me padurim të luajë me shokët e skuadrës.

Të dy janë mirë të përshtatshëm për skuadrat që kryesisht kundërsulmojnë, por gjithashtu mund të futen në skuadrat e bazuara në zotërimin e topit, Dijoni ka padyshim cilësitë për ta arritur dhe kaluar portugezin ndërsa zhvillohet karriera e tij.

Aftësia e 18-vjeçarit për të bërë presion, së bashku me aftësitë e tij në top, të sjell në mendje edhe Mason Mounti, ndërsa duke pasur parasysh edukimin e tij në te Salzburgu, adoleshenti ka të ngjarë të jetë po aq i hapur për stërvitje sa ylli i Chelseat dhe Anglisë.

Çfarë vjen më pas

Talenti shqiptar pritet ta sigurojë fitojë thirrjen e parë ndërkombëtare për ndeshjet miqësore të Austrisë në nëntor kundër Andorrës dhe Italisë.

“Kameri po luan shumë mirë. Nuk do të habitesha nëse ai do të jetë startues i rregullt te Salzburgu në sezonin e ardhshëm. Nëse është (startues), atëherë do të jetë vërtet interesant për ekipin përfaqësues”, kishte thënë përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, për Salzburger Nachrichten në shtator.

Sigurisht që do të ketë edhe klube të tjera të interesuara që presin përparimin e futbollistit ofensiv, edhe pse Salzburgu rrallëherë nxiton të shesë dhe në vend të kësaj i pëlqen të shohë një lojtar në kulmin e zhvillimit përpara se ta lejojë të largohet.

Kjo duhet të nënkuptojë që tifozët e Salzburgut të shijojnë shumë më tepër talentin e tyre të mrekullueshëm, përpara se ai të bashkohet me Haaland dhe Adeyemi në fluturimin e folesë për t’u bashkuar me një nga klubet elitare të Evropës, shkruan Goal, përcjell Fol Drejt.

Të ngjajshme