Një punonjës policie i Komisariatit të Pogradecit, ka përplasur me makinë një 13-vjeçar dhe është larguar nga vendngjarja.
Lidhur me këtë ngjarje Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore në Korçë thekson se ka nisur hetimin ndaj nënkomisarit A.A si dhe e ka shpallur në kërkim, pasi ka përplasur me makinë 13-vjeccarin O.S dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Ndërkohë që në vend të tij në makinë ka hipur i vëllai M.A, por pas këqyrjes së kamerave të sigurisë është parë që në timon në momentin e aksidentit ka qenë A.A.
Njoftimi:
Më datë 29.06.2022, Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar materialet e para hetimore në Prokurorinë Pogradec, si edhe ka bërë shpalljen në kërkim për punonjësin e policisë N/komisar A. A., i dyshuar për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, parashikuar nga neni 290 dhe 273 i Kodit Penal.
Nga veprimet e para rezulton se punonjësi i policisë, më datë 28.06.2022, duke drejtuar automjetin e tij, ka aksidentuar shtetasin e mitur O.S., 13 vjeç, i cili pasi ka marrë mjekim në spitalin Korçë është larguar për në banesë.
Gjithashtu, pas mbërritjes së shërbimeve të policisë në momentet e para të aksidentit, si drejtues i mjetit është paraqitur shtetasi M. A. (vëllai), por nga këqyrja e pamjeve filmike është provuar si drejtues i mjetit, punonjësi i policisë, A.A.
Sa më sipër, pas veprimeve hetimore në konsultim edhe me prokurorin e gatshëm, u referuan materialet në gjendje të lirë për shtetasin M. A., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Deklarata e rremë para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 dhe 305/b të Kodit Penal.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90./abcnews.al/