Në lidhje me arrestimin e Vangjush Dakos ka pasur reagime të shumta e ndër të që ka reaguar është edhe Ergys Mertiri, i cili ka thënë se kjo është një goditje e fortë kundër qeverisë së Ramës, të cilit, shokët më të mirë po ia merr burgu.
Ky është shkrimi i plotë i Ergys Mertirit i publikuar në profilin e tij në Facebook:
Arrestimi i Dakos është një goditje e fortë kundër qeverisë së Ramës, të cilit, shokët më të mirë po ia merr burgu. Dako është një ndër investimet kryesore të Edi Ramës në menaxhimin e resurseve korruptive, kriminale dhe elektorale në Durrës. Humbja e tij është pa dyshim një goditje për qeverinë.
Qesharake është të shohësh zërat nga foltorja që kërkojnë ta zhbëjnë efektin e kësaj ngjarjeje. Ata po e trajtojnë gjithçka si propagandë të qeverisë duke thënë se Rama po bën spektakël me burgje. Sipas tyre, të arrestuarit janë viktima të tij, të cilat detyrohen të heshtin, pasi qeveria ka nevojë për kurbanë propagandistikë për të dalë sikur po lufton korrupsionin. Kjo është krejt pa sens, pasi burgu nuk mund të jetë një lojë politike dhe askush nuk hyn me qef në të, apo për hatër të klatin ku bën pjesë.
Me këto qendrime ata vetëm se po e ndihmojnë Ramën duke thënë pikërisht atë çfarë po thotë ai vetë: Që këto arrestime po bëhen me bekimin e qeverisë. Kryeministri po tenton ti paraqesë këto skandale si trofe të distancimit të tij prej korrupsionit, duke mos kursyer as të korruptuarit brenda vetes. Ai i brohoret arrestimet si produkt të drejtësisë së re që e ka bërë ai vetë.
Në fakt, megjithë përpjekjet e Ramës për ta kapur SPAK-un, duket qartë që, pas arrestimeve, të cilat janë akoma të pakta në krahasim me çfarë duhet, qendrojnë amerikanët, të cilët poi a rrëzojnë qeverisë bashkëpunëtorët një e nga një. Përkundrazi, Rama i ka mbojtur me mish e me shpirt të gjithë ata që sot janë nëpër burgje, aq sa pak kohë më parë ai u ankua se prokuroria e re po godet vetëm qeverinë.
Përveç Ramës, këtu është në hall edhe Berisha. Atij po i bie alibia se SPAK-u kontrollohet 100 përqind nga Rama. Në fakt, të dy bashkë janë të interesuar që SPAK-u të dështojë, pasi të dy tremben se, një ditë, në një mënyrë apo një tjetër, do të jenë vetë në shenjestrën e tij.
Sigurisht, Rama sot kontrollon dhe ushtron presion të fortë mbi një pjesë të mirë të prokurorisë së re dhe shumë dosje sorollaten rrugëve, ndërsa akuzat mbeten tepër të vogla në raport me bëmat që ua dimë të gjithë. Por, gjithsesi Rama nuk kontrollon dot gjithçka, ndërsa presioni nga SHBA-të nuk mungon nga ana tjetër, çfarë përbën një kërcënim permanent për qeverinë. /FolDrejt/