Real Madridi ka arritur fitoren startuese në sezonin e ri të Champions League, në xhiron e parë të Grupit C, Reali mundi 1-0 Union Berlin në Santiago Bernabeu me gol në minutën e 94-të.
Golashënuesi i fitores së Realit ishte përfaqësuesi anglez Jude Bellingham , i cili shënoi golin e vetëm në minutën e 94-të, që ishte goli i tij i gjashtë këtë sezon.
E gjithë pjesa e parë u luajt rreth 40 metra larg portës së mysafirëve, por të gjitha sulmet e Realit ishin të ngadalta dhe të padëmshme. Rastet e madrilenëve ishin në minimum, ndaj më së shumti u përpoqën të hidhnin dhe të kërkonin Joselu, i cili dominonte në kërcim.
Por, në fakt, e gjithë pjesa e parë u dominua nga mbrojtja e Union Berlin, në krye me italianin Bonucci, i cili zmbrapste lehtësisht sulmet nga Madridi.
Reali provoi edhe gjuajtje nga distanca, por edhe ato krejtësisht të pasakta, sidomos tentativat nga Tchouameni.
Sulmet e Realit vazhduan deri në fund dhe në fund, ku në minutën e 94-të erdhi goli. Valverde gjuajti, dhe Bellingham reagoi më së miri ndaj goditjes dhe shënoi për tre pikët e Realit.