Kooperativa Bujqësore “Gratë e Krushës” është një mbishkrim që tashmë ka zënë vend në të gjitha tregjet e Kosovës por edhe jashtë saj. Falë cilësisë së lartë, produktet e kooperativës tashmë njihen edhe në tregun ndërkombëtar. E veçanta e këtij kolektivi është se 50 punëtorët e kooperativës janë gra që kryesisht burrat i kanë të vrarë apo zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ishte themeluar si biznes familjar, sa për të mbijetuar familja tre anëtarësh e Fahrije Hotit, të cilës pasi burri i është zhdukur në luftë nga paramilitarët serbë, kishte mbijetuar me dy fëmijët, në atë kohë njëri 3 vjeç kurse tjetri 3 muajsh.
Themeluesja e kooperativës, Fahrije Hoti, rrëfen për Radio Kosovën për zhvillimin e këtij biznesi që tashmë ka gjetur shtrirje edhe në Europë.
“Kur e kam filluar e kam filluar si ekonomi familjare me fëmijë, nuk e kam besuar që do të dal në tregjet e jashtme, dhe që do të ketë 50 punëtorë në kooperativë dhe 6 grupe që e konservojnë dhe e sjellin produktin bazë” ka thënë Fahrije Hoti.
Ajo thotë se e ka marrë këtë iniciativë pasi pas luftës deri në vitin 2003, ka mbijetuar me 50 euro ndihmë sociale së bashku me 2 fëmijët e vegjël.
“Jam e kënaqur! Pasi luftës kemi dalë prej hiçit. Kryesisht dominojnë gratë e veja, si dhe rastet sociale” ka thënë Fahrije Hoti.
Aktualisht në kooperativë janë të punësuara 30 gra që marrin pagë 12 muaj, ndërsa 20 të tjera punojnë vetëm gjatë sezonit dhe marrin pagë për gjashtë muaj në vit.
Vetë punonjëset në këtë kooperativë janë shprehur të kënaqura me punën që e bëjnë, derisa kanë shtuar se me pagat që i marrin aty, e mbajnë familjen.
Sadbere Hoti thotë se puna në kooperativë e ka ndihmuar atë jo vetëm financiarisht.
“Kjo punë na ka ndihmuar shumë, na ka qetësuar. Jemi më të forta se sa kemi qenë përpara, vetëm rrinim duke menduar, tash puna, edhe kemi nevojë për pare. Vajzën e kam shkolluar, e ka kryer fakultetin, ka diplomuar me këtë punë” ka thënë Sadbere Hoti.
Edhe Xhevahire Duraku, e cila bashkëshortin e ka të zhdukur në luftë, thotë se me punën në kooperativë e ka shkolluar djalin.
“Unë punoj qe 4 vite. Puna na shkon shumë mirë. E kam veç një djalë, djalin e kam student, punoj për ta shkolluar djalin, për të mbajtur familjen”tha Xhevahire Duraku.
Themeluesja e Kooperativës Bujqësore “Gratë e Krushës”, Fahrije Hoti, thotë se për shkak të hapësirës së vogël nuk ka mundur deri më tani ta shtojë prodhimin. Mirëpo ajo ka në plan për vitin 2019/20 që ta zgjerojë biznesin, ku do të mund të punojnë 150 deri në 200 punëtorë.