Jack Grealish dhe Erling Haaland kanë bërë një miqësi të madhe në Manchester City. Ata punojnë ngushtë në sulmin e skuadrës së Pep Guardiolës, ku qendërsulmuesi norvegjez ka shënuar 51 gola në të gjitha garat këtë sezon. Grealish e përshkruan kolegun e tij më të ri si profesionistin më të madh që ka parë ndonjëherë.
“Erling Haaland është profesionisti më i mirë që kam parë ndonjëherë. Mendësia e tij është diçka që nuk do ta shihni askund. Ai pushon dhe shërohet. Ai shkon në palestër. Ai ka dhjetë orë trajtim në ditë. Ka gjithashtu banja me akull, dietë… Prandaj është ky që është. Të betohem që nuk mund të isha si ai”, tha anglezi për Daily Mail dhe shtoi:
“Ne jemi miq të shkëlqyeshëm, por pas ndeshjes ai gjithmonë do të ma drejtojë gishtin dhe do të më thotë: ‘Mos dil të festosh sonte’. Thjesht i them atij të heshtë dhe të ulet në banjën e tij me akull. Por jemi ne, dy njerëz të ndryshëm që punojmë mirë sipas mënyrave tona.”, tha ai.
Në 45 paraqitje për Cityn këtë sezon, Grealish ka realizuar pesë gola dhe 11 asistime në të gjitha garat. Ai luajti 3116 minuta, transmeton Fol Drejt.