Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve Takis Theodorikakos theksoi në mediat sociale se “ligji është ligj dhe zbatohet për të gjithë”
Pretendimet për abuzim seksual të lidhura me një organizatë bamirëse të madhe për fëmijë në Greqi kanë zënë ballinat e shumë mediave të vendit, ndërsa autoritetet kanë sugjeruar se mund të ndërmerren hapa ligjorë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ndër akuzat që po hetohen nga autoritetet policore dhe gjyqësore janë të paktën dy raste të abuzimit seksual, rrahjes dhe neglizhencës nga punonjësit dhe drejtuesit e organizatës së mirënjohur Arka e Botës (Kivotos tou Kosmou), raportuan mediat kryesore greke, duke përfshirë transmetuesin publik ERT dhe agjencinë shtetërore të lajmeve AMNA.
Një prokuror në kryeqytetin Athinë i ngarkuar për krimet kundër të miturve tashmë po heton ankesën dhe objektet e organizatës po kontrollohen, raportoi ERT.
Ndërkaq, gazeta Kathimerini tha se Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve pret që numri i ankesave për sjellje abuzive të rritet.
Paralelisht me këtë, ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve Takis Theodorikakos theksoi në mediat sociale se “ligji është ligj dhe zbatohet për të gjithë”, por nuk bëri asnjë referencë për abuzimin e pretenduar.
Ministria e Financave ka ngrirë fondet e organizatës derisa të përfundojë hetimi paraprak, shtoi gazeta Efsyn./FolDrejt/