Greqia nuk mund të injorojë mospajtimet që ka me Turqinë për çështjet territoriale në Mesdhe dhe për disa tema tjera, mirëpo zgjidhja e problemeve ndonëse është e vështirë, nuk është e pamundshme, ka thënë ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias për gazetën Kathimerini.
Të dyja shtetet janë anëtare të NATO-s, mirëpo nuk pajtohen për një mori çështjesh, duke përfshirë shtrirjen e tyre në Mesdhe, hapësirën ajrore, burimet e energjisë dhe Qipron e ndarë etnikisht.
“Nuk është e mundshme që të fshihen nën tepih çështjet ku kemi qëndrime të ndryshme”, ka thënë Dendias.
Të enjten, Dendias dhe homologu i tij Mevlut Cavusoglu kanë pasur përplasje në qëndrime në një konferencë për media në Ankara, e cila ka nisur me shpresat për përmirësim të marrdhënieve, mirëpo që shpejt ka përfunduar në hapësirë për akuza nga të dyja palët.
Kjo njëherësh ka qenë vizita e parë e një ministri të Jashtëm grek në Turqi, prej vitit 2015.
Dendias i ka thënë gazetës Kathimerini se ndonëse atmosfera në takim ka qenë e mirë, ende nuk është arritur pajtueshmëri në shumë çështje.
“Çështja me të cilën përballemi me Turqinë është se nuk ekziston asnjë emërues i përbashkët lidhur me kornizën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve tona”, ka thënë ai.