Drejtoria e Sigurisë së Komunikimit në Greqi (ADAE) ka vendosur të krijojë një ekip të posaçëm për të inspektuar kompanitë e telekomunikacionit që shërbejnë në vend, për të hetuar akuzat në lidhje me skandalin e përgjimeve.
Në lajmet në mediat greke thuhet se grupi i auditimit do të kontaktojë me të gjitha kompanitë e telekomunikacionit që shërbejnë në vend dhe do të hetojë nëse këtyre kompanive u janë dhënë “urdhra përgjimi” për persona të caktuar, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në këtë kuadër, u theksua se drejtori i ADAE-së, Christos Ramos, do t’i kërkojë kreut të partisë kryesore opozitare, Aleanca e Majtë Radikale (SYRIZA), Aleksis Tsipras, të njoftojë institucionin për listën e numrave të telefonit që mund të jenë përgjuar.
Tsipras vizitoi ADAE-në më 7 dhjetor dhe kërkoi qasje në urdhrat e përgjimeve të nënshkruara në tre vitet e fundit si lider politik dhe udhëheqës kryesor i opozitës.
Skandali i përgjimeve doli në pah në muajin prill pasi telefoni celular i gazetarit grek, Thanasis Kukakis, u zbulua se kishte program gjurmimi (spyware).
Në lajmet në shtypin e vendit u pretendua se janë përgjuar telefonat e shumë politikanëve, zyrtarëve, gazetarëve dhe biznesmenëve të rëndësishëm, mes të cilëve ish-kryeministri, Andonis Samaras; ministri i Jashtëm, Nikos Dendias; si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Konstandinos Floros./FolDrejt/