Greqia ka vendosur të inspektojë rreth 64,000 ndërtesa për shkak të rrezikut të tërmeteve.
E përditshmja “Katimerini” ka bërë të ditur se ky vendim është marrë në mbledhjen e mbajtur së fundmi të kryesuar nga kryeministri Kyriakos Motsotakis, përcjell Fol Drejt.
Sipas raportit, përparësi do t’u jepet 30,000 vendndodhjeve, duke përfshirë sheshe, spitale dhe shkolla.
Shtohet se pritet që Ministria e Mbrojtjes Civile të shpallë së shpejti një plan konkret pasi organet kompetente janë në kërkim të një formule ligjore për ta bërë të detyrueshëm kontrollin e ndërtimit.
Agjencia për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP) do të përditësojë hartën e rrezikut sizmik të vendit, e cila u përditësua për herë të fundit pas tërmetit të vitit 1999.
Qeveria greke i mori këto masa pas tërmeteve shkatërruese që goditën Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt dhe sipas të dhënave të fundit u vranë më shumë se 46 mijë njerëz./FolDrejt/