Greqia nuk duhet t’ia lejojë vetes që të përdoret nga vendet që përpiqen ta shfrytëzojnë atë për lojërat dhe ambiciet e tyre të brendshme politike, tha sot Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeparlamentari turk vlerëson se në vend të kësaj, Greqia duhet të veprojë me mendje të shëndoshë dhe duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar, traktatet dhe të drejtat e Turqisë në Mesdhe.
Şentop gjithashtu parashtroi pyetjen se pse vendet e tjera, veçanërisht Franca, ndjekin Greqinë dhe përpiqen të jenë pjesë e rajonit dhe të kërkojnë përfitimet e tyre në Mesdheun Lindor.
“Politikanët e paaftë përpiqen të mbulojnë gabimet e tyre në politikën e brendshme me disa lëvizje të paarsyeshme dhe iracionale në arenën ndërkombëtare”, tha ai.
Şentop theksoi se ambiciet personale të politikanëve të tillë kërcënojnë të gjitha vendet fqinje në rajon, veçanërisht Greqinë.
Zyrtarët turq kanë dënuar ndërhyrjen e Francës në mosmarrëveshjen e Mesdheut Lindor, duke theksuar se ajo nuk ka territor në rajon. Komentuesit kanë argumentuar se presidenti francez Emmanuel Macron po përpiqet të heq vëmendjen nga dështimet e tij politike.
“Ka vende që përpiqen të përdorin Greqinë për lojërat dhe ambiciet e tyre të brendshme politike”, tha Şentop.
Ai gjithashtu paralajmëroi popullin grek që mos t’i besojnë Francës, duke thënë: “Franca nuk ka ndonjë sukses ushtarak në historinë e fundit”.
“Historia nuk mund të ndryshohet dhe të shkruhet nga ambiciet dhe dëshirat”, shtoi ai.
Duke theksuar rëndësinë e ligjit dhe traktateve ndërkombëtare, Şentop tha se Turqia është e vendosur të mbrojë të drejtat, kufijtë dhe Atdheun e Kaltër në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare.
Ai theksoi se Turqia është gjithmonë e hapur ndaj përpjekjeve diplomatike për të negociuar çështjen e Mesdheut, por nëse vendet e tjera duan të provojnë metoda të tjera, Turqia ka fuqinë t’i mposhtë ato.
“Turqia ka fuqinë ta bëjë këtë. Ajo është shumë më e fuqishme sesa ishte 100 vjet më parë”, tha ai, duke iu referuar kohës kur Turqia mundi forcat greke në Luftën e saj të Pavarësisë Kombëtare.
Mesdheu Lindor
Greqia ka kontestuar eksplorimin e tanishëm energjetik të Turqisë në Mesdheun Lindor, duke u përpjekur të bllokojë territorin detar turk bazuar në ishuj të vegjël pranë bregdetit turk.
Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije shpimi për të kërkuar energji në shelfin e saj kontinental, duke thënë se Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë të drejta në rajon.
Dialogu për ndarjen e këtyre burimeve në mënyrë të drejtë do të jetë një fitore për të gjitha palët, thonë zyrtarët turq.