Dita e tretë e hapjes së kufijve të Greqisë dhe heqjes së karantinës me shtetet e BE dhe 5 vendeve të tjera si Serbia, Britania, Izraeli, SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e gjen Greqinë përsëri me mbi 3700 raste ditore me covid- 19, 847 te intubuar dhe 87 humbje jete.
Të gjithë udhëtarët që vijnë nga këto shtete duhet vetëm të paraqesin certifikatën e vaksinimit apo një test molekular negativ të kryer 72 orët e fundit. Bëhet fjalë për një program pilot për të provuar protokollet shëndetësore në prag të hapjes së turizmit të vendit në 14 maj.
Dimitri Karydis, kryetari i Komunës së ishullit Fourni thotë se “askush nuk e mban maskën përveç atyre që vijnë nga diku tjetër dhe kjo është vetëm sa për t’u dukur. Ne jemi një ishull pa Covid. Por ka edhe ishuj të mëdhenj siç është Samos me mbi 30 000 banorë që ende nuk është vaksinuar as 20% e tyre.”
Mbrëmjen e së martës autoritetet në bashkëpunim me Sinodin e shenjtë vendosën kufizime për ceremonitë e Pashkëve, me Ringjalljen që do bëhet në orën 9 të mbrëmjes të shtunën e ardhshme, ndërsa priten vendimet për lëvizjen e qytetarëve që duket se edhe kësaj here do festojnë Pashkët, vetëm në rrethin e ngushtë familjar.