Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka përsëritur ambicien e vendit të tij për të qenë një eksportues i energjisë së gjelbër.
“Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme ne duam të bëhemi një eksportues i energjisë së gjelbër, duke përfituar nga avantazhet që kemi, veçanërisht për sa i përket energjisë së erës”, tha Mitsotakis, duke folur në një panel diskutimi mbi energjinë e gjelbër në Forumin Ekonomik Botëror në qytetin turistik zviceran Davos, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Mitsotakis përsëriti se Greqia kërkon të bëhet një ofrues i madh i energjisë përmes ndërlidhjeve të forta, tubacioneve, si dhe objekteve të magazinimit dhe lëngëzimit.
“Pozicioni ynë gjeografik na e jep këtë mundësi”, tha ai.
Kryeministri grek gjithashtu argumentoi se Bashkimi Evropian (BE) duhet të zbërthejë procedurat e panevojshme burokratike për të tërhequr më shumë investime në sektorin e energjisë dhe në këtë mënyrë të qëndrojë konkurruese ndaj rivalëve të saj ekonomik, përfshirë SHBA-në.
Duke folur në panel, edhe komisioneri i BE-së për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, Marosh Shefçoviç, theksoi rëndësinë e fitimit të mbështetjes popullore për transformimin e gjelbër.
Ai tha se BE-ja duhet të jetë e pranishme fuqishëm në fushën e teknologjive të orientuara drejt së ardhmes, veçanërisht në teknologjitë e gjelbra, si prodhimi i automjeteve elektrike dhe ruajtja e energjisë.