Qytetarët e Gjermanisë do të përballen të enjten dhe të premten me greva të reja masive në sektorin e transportit, duke prekur disa aeroporte dhe të gjithë trafikun hekurudhor, u njoftua sot.
“Ne nuk duam të ndëshkojmë pasagjerët, por të rrisim presionin mbi administratën hekurudhore,” tha presidenti i sindikatës së punonjësve të sektorit hekurudhor EVG Cosima Ingenschay. Si shkak për grevën e gjithë sektorit hekurudhor, e cila do të zhvillohet të premten nga ora 03:00 deri në orën 11:00, ajo ka përmendur vështirësitë në negociatat për kontratën e re tarifore, përcjell Fol Drejt.
EVG është duke negociuar që punonjësit e saj të rrisin pagat e tyre me të paktën 650 euro dhe refuzon propozimin e punëdhënësit që EVG të respektojë edhe marrëveshjen e arritur së fundmi ndërmjet punonjësve në shërbimet publike dhe punëdhënësve shtetërorë.
Hekurudhat Gjermane (DB), punëdhënësi më i madh në negociatat me EVG, kritikuan grevën e paralajmëruar e cila, sipas përfaqësuesve të saj, pavarësisht se ajo është e kufizuar në gjysmë dite, do të shkaktojë vështirësi të mëdha në trafik.
“Kjo grevë është krejtësisht e panevojshme dhe do të prekë shumë udhëtarë çdo ditë,” tha përfaqësuesi i DB Martin Sailer.
Për të rritur presionin ndaj punëdhënësve në negociatat aktuale, sindikata e sektorit publik Verdi ka thirrur punonjësit në aeroportet e Duseldorfit, Koelnit/Bonnit dhe Hamburgut në një grevë dyditore. Më pak se katër javë më parë, sindikatat e punonjësve të sektorit të transportit hynë në grevë në një aksion të koordinuar në të gjithë vendin./FolDrejt/