Gruaja e themeluesit të platformës WikiLeaks ka thënë se jeta e bashkëshortit të saj, Julian Assange, është “në duart e qeverisë australiane” dhe ka bërë thirrje për lirimin e tij.
Stella Assange, e cila është gjithashtu pjesë e ekipit ligjor të bashkëshortit të saj, tha se lirimi i Assange-it nga burgu nuk ka qenë kurrë më afër, duke i kërkuar kryeministrit Anthony Albanese që “ta bëjë të mundur këtë”, raportoi media australiane SBS News, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Është e rëndësishme të pranohet se Australia luan një rol të rëndësishëm dhe mund të sigurojë lirimin e Julianit”, tha Stella Assange para Klubit Kombëtar të Mediave.
“Jeta e Julianit është në duart e qeverisë australiane. Nuk është roli im t’i tregoj qeverisë se si ta bëjë këtë, por duhet bërë. Juliani duhet të lirohet”, tha ajo më tej.
Komentet e saj erdhën vetëm disa javë pasi Albanese sinjalizoi lirimin e mundshëm të Julianit.
Në prill, Stephen Smith, komisioneri i ri i lartë i Australisë në Mbretërinë e Bashkuar, vizitoi Julianin në burgun e sigurisë maksimale Belmarsh të Londrës.
Julian Assange, shtetas australian, po mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, ku autoritetet autorizuan ekstradimin e tij në SHBA vitin e kaluar. Ai kërkohet për rolin e tij të dyshuar në spiunazh dhe shpërndarjen e informacionit të klasifikuar ushtarak amerikan.
Departamenti amerikan i Drejtësisë i etiketoi veprimet e Assange-it si pjesë të “kompromiseve më të mëdha të informacionit të klasifikuar në historinë e SHBA-së”.
Në nëntor të vitit të kaluar, mediat kryesore globale bashkuan forcat për t’i bërë thirrje SHBA-së që të heqë akuzat kundër themeluesit të WikiLeaks-it dhe të ndalojë ndjekjen e tij, në mënyrë që të mbrohet gazetaria.
Ai ka qenë në paraburgim për rreth katër vjet në burgun Belmarsh pasi kaloi shtatë vjet në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku fillimisht kërkoi azil diplomatik nga autoritetet suedeze.
Stella dhe Assange kanë dy fëmijë, të lindur në 2017 dhe 2019.
Qeveria australiane ka shprehur mbështetjen për kthimin e Assange-it në Australi, por ka theksuar se nuk është në gjendje të ndërhyjë në proceset gjyqësore të një vendi tjetër./FolDrejt/