Grupi Punues për Barazi Gjinore, i themeluar në kuadër të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, ka mbajtur sot punëtori një-ditore në të cilën u prezantua analiza për harmonizimin e ligjeve relevante me Ligjin për Barazi Gjinore, me qëllim të fuqizimit të grave dhe aktivizimin e tyre në jetën publike, transmeton Fol Drejt.
Anëtarët e grupit patën mundësi të njoftohen dhe të komentojnë përmbajtjen e kësaj analize, e cila do të shërbejë si bazë për punën në muajt në vijim. Ndryshimet e nevojshme ligjore u identifikuan në sektorë të ndryshëm të pjesëmarrjes së grave në jetën publike, duke përfshirë politikën, shëndetësinë, arsimin. Tutje, Grupi Punues pas finalizimit të kësaj analize do të propozojë hapa konkret dhe do të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse.
Grupi për Barazi Gjinore funksionon në kuadër të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe garanton koordinim ndërinstitucional dhe përfaqësim gjithëpërfshirës me qëllim të mbarëvajtjes së këtij procesi të rëndësishëm për avancimin e barazisë gjinore në institucione, sektorë ekonomik dhe procese të rëndësishme publike e politike.
Kjo punëtori u mbështet nga Agjencia për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit.