Pas grushtit të shtetit më 26 korrik, SHBA ka vendosur të evakuojë pjesërisht në mënyrë të përkohshme ambasadën e saj në Niger, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller në një deklaratë me shkrim njoftoi se duke marrë parasysh situatën në Niger do të tërheqin në mënyrë të përkohshme nga vendi personelin dhe familjet e tyre për të cilët nuk ka nevojë urgjente.
Ambasada do të vazhdojë të ofrojë shërbim në mënyrë të kufizuar, njoftoi Miller i cili shtoi se marrëdhëniet diplomatike në Nigerin do të ruhen në nivelin më të lartë.
Gjithashtu Miller theksoi se SHBA mbështet Komunitetin Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) dhe Unionin Afrikan të cilët pritet të ndërmarrin hapa të rinj kundër juntës në Niger.
Pasi junta mori pushtetin, shumë vende filluan të evakuojnë qytetarët e tyre në Niger.
– Ngushtohet afati i dhënë ndaj juntës
Në një samit të jashtëzakonshëm që mbajti më 30 korrik ECOWAS i dha juntës në Niger afat një javor, për lirimin dhe rikthimin në detyrë të presidentit Mohamed Bazoum.
ECOWAS njoftoi se në rast se kërkesat nuk përmbushen, do të shqyrtojnë çdo alternativë, përfshirë ndërhyrjen ushtarake.
Mundësia e ndërhyrjes ushtarake, shkaktoi reagimin e qeverive të tjera të juntës në Afrikën Perëndimore.
Burkina Faso dhe Mali të cilët kanë ushtarakë në qeveritë e tyre, paralajmëruan përmes një deklaratë të përbashkët se ndërhyrja e mundshme ushtarake ndaj Nigerit nënkupton shpalljen e luftës ndaj tyre.
– Grushti i shtetit në Niger
Në Niger, presidenti Mohamed Bazoum u arrestua nga elementë të Regjimentit të Gardës Presidenciale më 26 korrik dhe atë mbrëmje ushtria njoftoi marrjen e pushtetit.
Gjenerali Abdurrahman (Omar) Tchiani, komandanti i Regjimentit të Gardës Presidenciale, më 28 korrik njoftoi marrjen e drejtimit të juntës së emërtuar Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut (CNSP) dhe kalimin e tij në krye të qeverisë së përkohshme.