Pep Guardiola beson se Erling Haaland mund të thyejë rekordin sezonal të golave në Premier League qysh në këtë sezon, shkruan Goal.com, përcjell Fol Drejt.
Sulmuesi norvegjez po shijon një formë të shkëlqyer këtë sezon pasi tashmë ka shënuar 17 gola në 11 paraqitje në ligë. Ai gjithashtu ka tre hat-trick nën emrin e tij dhe ka shënuar dy herë në ndeshjen e fundit të Cityt – në fitoren 3-1 ndaj Brighton.
Duke folur për gazetarët, Guardiola tha: “Ne nuk duhet të jemi gjeni (për ta ditur këtë fakt), nëse ai vazhdon në këtë ritëm, me mesataren në çdo ndeshje, ai do të thyejë rekordin, padyshim. Por në futboll ndoshta ju shënoni dhe në disa raste ndaleni së shënuari. Nuk e di.
“Unë nuk kam folur me të, mendoj se ai është i lumtur kur ekipi fiton dhe jo kur humbet. Të gjithë sulmuesit që kam parë në karrierën time, Samuel Eto’o, Messi, Robert Lewandowski, Thomas Muller, Sergio Aguero, të gjithë ata kanë ambicie të jashtëzakonshme për të shënuar gola. Është normale. Ai duhet të jetë i tillë.”
Aktualisht Andy Cole dhe Alan Shearer mbajnë së bashku rekordin me më së shumti gola në një sezon të Premier League me gjithsejt 34. Haaland këtë sezon është mesatarisht 1.54 gola për lojë, që do të thotë se ai mund të thyej rekordin në 12 ndeshjet e ardhshme, me kusht që të ruajë formën aktuale.
Haaland do të jetë në aksion në mesjavë pasi City do të përballet me ish-klubin e tij Dortmund në Ligën e Kampionëve më 25 tetor. /FolDrejt/