Janë mbi 400 masakra që shteti serb ka kryer në Kosovë, e përveç që edhe pas më shumë se 20 vitesh nuk u dënua askush, ky gjenocid edhe mohohet nga agresori. Rusia e cila historikisht ka qenë kundër Kosovës, përveç fushatës diplomatike, po trillon të pavërteta edhe përmes kinematografisë së saj.
“The Balkan Line”, Linja Ballkanike, kështu titullohet një film i cili është lansuar në mars të vitit të kaluar.
Përmes tij bëhet fushatë kundër Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur si terroriste, plaçkitëse, por edhe banditeske.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se fushata e Rusisë kundër popullit shqiptar nuk është risi, pasi të njëjtit mundohen që historinë e Kosovës ta falsifikojnë.
“Për neve nuk është diçka risi, e as për qytetarët e Kosovës, as për neve si pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E dimë propagandën ruse që është bërë me vite të tëra për Kosovën dhe për shqiptarët, duke e ditur edhe propagandën e fundit që ka bërë Rusia gjatë bombardimeve të NATO-s, kështu që për neve është e papranueshme. Ata mundohen me falsifikua historinë e Kosovës dhe popullit shqiptar, sidomos tash edhe të NATO-s edhe vendeve më të forta”, thotë ai për KosovaPress.
Gucati thotë se trillime të tilla nuk do e njollosin asnjëherë historinë e Kosovës dhe të UÇK-së.
“Duhet që institucionet e vendit të reagojnë, por edhe ndërkombëtarët të reagojnë. Sidomos Kosova, shteti jonë është dashur të bëjë reagim me kohë. Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës e dënojmë këtë trillim që e ka bërë Rusia dhe këtë falsifikim që janë munduar ta bëjnë dhe t’i binden shtetet komuniste atyre aleatëve të Rusisë dhe Serbisë se gjoja NATO paska gabuar pse ka ndërhyrë në Kosovë”, shton ai.
Për këtë film që u lansua një vit më parë, nuk ka ende ndonjë reagim ndërkombëtar, për të dënuar këto të pavërteta të trilluara ndaj UÇK-së, NATO-s dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Rrolet kryesore në film i luajnë aktorët: Gosha Kucenko, Ravshan Kurkova , Anton Pampushni, si dhe disa aktorë serbë.