Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, i përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, shqiptoi sot aktgjykimin e parë të apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), transmeton Fol Drejt.
Në komunikatën e lëshuar nga Dhomat e Specializuara, bëhet e ditur se paneli i Apelit la në fuqi verdiktin e fajësisë së z. Gucati dhe z. Haradinaj për frikësim gjatë procedurës penale (Pika 3), shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare (Pika 5), dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identiteteve dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur (Pika 6). Paneli i Apelit më tej la në fuqi, me përjashtim të gjykatësit Ambos që nuk u pajtua, verdiktin e fajësisë së z. Gucati dhe z. Haradinaj për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, nëpërmjet kërcënimit të rëndë (Pika 1).
Paneli i Apelit prapësoi konstatimin e Trupit Gjykues për pengimin e personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi (Pika 2) dhe i shpalli të pafajshëm z. Gucati dhe z. Haradinaj për këtë Pikë.
Bazuar në konstatimet e tyre, shumica e Panelit të Apelit uli dënimin e z. Gucati dhe z. Haradinaj nga katër vjet e gjysmë të dhënë nga Trupi Gjykues, në katër vjet e tre muaj burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim. Paneli i Apelit la në fuqi dënimin shtesë me një gjobë prej njëqind eurosh (100 euro).
Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, Paneli i Gjykatës së Apelit theksoi se “Është me rëndësi themelore për përmbushjen e misionit të Dhomave të Specializuara që individët të cilët vijnë për të dhënë dëshmi, shpesh lidhur me përvoja traumatike ose të vështira, ta bëjnë këtë pa pasur frikë. Mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe dëmtimi është në themel të çdo sistemi të drejtësisë penale, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara. Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë, pra, me administrimin e duhur të drejtësisë, integritetin dhe sigurinë e procesit dhe sigurinë e dëshmitarëve”.
Përmbledhja e Aktgjykimit të Apelit gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.
Më 25 dhe 26 shtator 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj u arrestuan në Prishtinë, Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën e parë kundër dy të akuzuarve.
Aktakuza përmban se, ndër të tjera, së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2022, në tri konferenca për shtyp dhe paraqitje të tjera në media, si dhe me anë të shpërndarjes së mëtejshme, z. Gucati, z. Haradinaj dhe të tjerë shpërndanë pa autorizim informacion të mbrojtur me Ligjin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), përfshirë të dhënat identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë gjithashtu komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të vazhdueshme shprehën synimin e tyre për të dëmtuar DHSK-në.
Aktgjykimi i Trupit Gjykues u shqiptua më 18 maj 2022./FolDrejt/