Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka bërë të ditur se rreth 43 mijë njerëz kanë vdekur si rezultat i konflikteve të armatosura në vitin 2022, si dhe ka paralajmëruar se lufta po shkatërron jetët në mbarë botën, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
“Vitin e kaluar, 94 për qind e viktimave në zonat e populluara ishin civilë”, tha Guterres gjatë një takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mbrojtjen e civilëve në konfliktet e armatosura.
“Numri i përgjithshëm i të dëbuarve nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit, dhunës, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe persekutimit arriti në 100 milionë refugjatë”, shtoi Guterres.
Shefi i OKB-së tha se konfliktet po nxisin pasigurinë globale të ushqimit.
“Vitin e kaluar, mbi 117 milionë njerëz u përballën me urinë akute, kryesisht për shkak të luftës dhe pasigurisë. E vërteta e tmerrshme është se bota po dështon të përmbushë angazhimet e saj për të mbrojtur civilët, angazhimet e parashikuara në të drejtën ndërkombëtare humanitare”, tha ai.
Guterres kërkoi që ata që kryejnë krime lufte të mbahen përgjegjës.