Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, vlerësoi se në këtë moment nuk sheh asnjë mundësi për negociata paqeje ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, duke shtuar se të dyja palët janë të bindura se mund të fitojnë.
“Ky ishte një pushtim rus kundër ligjit ndërkombëtar, kundër Kartës së Kombeve të Bashkuara, por unë nuk shoh që Rusia është e gatshme në këtë moment të tërhiqet nga territoret që ka pushtuar dhe mendoj se Ukraina shpreson t’i marrë ato. Ajo që ne po bëjmë, për aq sa është e mundur, është një dialog nga të dyja palët për të zgjidhur problemet konkrete”, tha Guterres në një intervistë për El Pais.
Ai shprehu shpresën se do të ketë negociata paqeje në të ardhmen, por shtoi se për momentin të dyja palët ruse dhe ukrainase janë plotësisht të përfshira në luftë, duke kujtuar se flitej për një ofensivë dimërore ruse dhe një kundërofensivë ukrainase është paralajmëruar për pranverë./FolDrejt/