Dy nga katër amerikanët e rrëmbyer me armë në Meksikë javën e kaluar kanë vdekur dhe dy janë ende gjallë, ka thënë një guvernator i shtetit meksikan, raporton BBC, transmeton Fol Drejt.
Katër shtetas amerikanë u rrëmbyen nga njerëz të armatosur më 3 mars teksa po udhëtonin drejt qytetit Matamoros në shtetin verilindor të Tamaulipas, Meksikë përtej kufirit nga Teksasi.
Ata kishin udhëtuar atje për kirurgji estetike, thanë të afërmit për mediat amerikane.
Zyrtarët amerikanë ende nuk i kanë konfirmuar vdekjet.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Meksikës konfirmoi se nga katër amerikanët, “dy prej tyre janë të vdekur, një person është plagosur dhe tjetri është gjallë”, tha guvernatori i Tamaulipas, Americo Villarreal, gjatë një konference për shtyp.
Një zyrtar meksikan shtoi për Reuters se dy burra ishin gjetur të vdekur, ndërsa një tjetër burrë dhe një grua ishin të sigurt dhe në duart e autoriteteve.
Partneri i medias amerikane i BBC-së, CBS News, raportoi se amerikanët ishin Latavia “Tay” McGee, Shaeed Woodard, Eric James Williams dhe Zindell Brown.
Të katër po udhëtonin përmes Matamoros – një qytet me 500,000 banorë që ndodhet direkt përtej kufirit nga qyteti i Brownsville në Teksas – me një furgon të bardhë me targa të Karolinës së Veriut kur persona të armatosur të paidentifikuar hapën zjarr, tha FBI këtë javë.
Video tregon ata duke u ngarkuar në një kamionçinë nga njerëz të armatosur rëndë. Njëri është futur në automjet, ndërsa të tjerët duket se janë pa ndjenja dhe janë tërhequr zvarrë në kamion.
Një grua meksikane, që besohet se ishte një kalimtare, u vra në incidentin e së premtes së kaluar./FolDrejt/