Një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është identifikuar si “dëshmitari numër 10”, është qortuar nga gjyqtarja për përgjigjet që po jep në dëshminë e tij kundër Pjetër Shalës.
Sipas kryetares së trupit gjykues Mappie Veldt- Folia, dëshmitari është duke dhënë përgjigje ndryshe prej pyetjeve që po i bëhen.
Veldt-Folia e pyeti dëshmitarin nëse ka ndonjë problem me përkthimin, sepse sipas saj, dëshmitari i cili është deklaruar si pjesëtar i UÇK-së, nuk po përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar për ambientet dhe organizimin e një burgu të improvizuar të UÇK-së.
“Po ta bëj këtë pyetje sepse ndonjëherë, në përgjigje në pyetjet që po ju bëhen, ti jep një përgjigje të ndryshme nga pyetja që të bëhet. Kështu që, mundohu të jepni përgjigje në pyetjen që ju bëhet. Ju lutem, dëgjoni me kujdes pyetjen dhe jepni përgjigje në pyetje”, tha ajo./FolDrejt/