Komisioneri i zgjerimit europian Johanes Hahn ka dhënë një intervistë për median e majtë austriake Der Standard, ku ka pranuar përherë të parë se gjatë tetorit 2019 më shumë gjasa ka që Maqedonia Veriore të fitojë hapjen e negociatat, kurse kjo mund të mos ndodhë për Shqipërinë.
“Ne po punojmë dhe diskutojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të fillojnë hapjen e negociatave në tetor. Por tashmë nuk është sekret i veçantë, që mes shteteve anëtare frymë më pozitive shfaqet ndaj Maqedonisë së Veriut. Të dyja shtetet kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga BE, por Maqedonia e Veriut krahas kërkesave të kërkuara ka gjetur rrugën e Marrëveshjes së Prespës dhe ka nënshkruar një Marrëveshje Miqësie me Bullgarinë. Te Shqipëria fatkeqësisht ka probleme të dukshme, ku opozita nuk është në parlament, qeveria ka problem të udhëheq një dialog dhe poashtu ka një ecuri për shkarkimin e presidentit. Natyrisht që shtetet anëtare të unionit, shohin edhe situatën e tërësishme politike në vend,” tha Hahn, përcjell foldrejt.com. “Pra nëse Maqedonia Veriore merr dritën jeshile për hapjen e negociatave në tetor, çfarë unë e parashikoj, atëherë unë besoj se kjo do ndikojë pozitivisht në gjithë rajonin”.
Sipas komisionerit të zgjerimit, sinjale pozitive në këtë aspekt ka edhe nga presidenti francez Emanuel Macron, i cili deri para pak javësh ishte kategorikisht kundër çdo lloj zgjerimi.
Në pyetjen e gazetares nëse Shqipëria i ka gjasat “fifty-fifty” për hapjen e negociatave në tetor, Hahn nuk dha detaje të tjera, por vetëm shtoi se shpreson që faktorët politik në Shqipëri të gjejnë zgjidhje pasi rreth 80 përqind e banorëve shqiptarë kërkojnë anëtarësimin në BE. Ai dha poashtu sinjale se shtetet e Ballkanit Perëndimor do vlerësohen në mënyrë paralele.
Pas zgjedhjeve në Kosovë, prioritet marrëveshja
Më tutje Hahn është pyetur edhe për dialogun Prishtinë-Beograd, ku thotë se tashmë zgjidhja mes Serbisë dhe Kosovës “është pika qendrore për zhvillimin e gjithë rajonit.”
Zgjidhja e konfliktit do jetë prioritet për Komunitetin Ndërkombëtar, pas zgjedhjeve të vjeshtës në Kosovë.
Hahn për Kosovën gjithashtu theksoi se “ata me pak të drejtë janë të zemëruar me BE, pasi kanë plotësuar 94 kriteret e kërkuara dhe akoma nuk kanë fituar liberalizimin e vizave”. Por kjo situatë mund të ndryshojë pasi edhe Gjermania e ministrit të brendshem Horst Seehofer është promotore e lobingut për liberalizimin e vizave me Kosovën./Foldrejt.com