Shërbimet e dërgesave të shpejta të ushqimeve janë bërë një element kryesor gjatë pandemisë COVID-19 pasi blerësit kanë kthyer vëmendjen drejt shërbimeve online.
Aplikacioni i shërbimit të dërgesave të ushqimeve “Hajde” tashmë e ka përqafuar këtë trend në Shqipëri.
Sipas Tech.eu, kompania “Hajde” ka siguruar një fond financimi fillestar prej 1 milion dollarësh për të vazhduar zgjerimin e saj në tregjet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropën Juglindore.
Pjesa e parë e financimit është kryesuar nga Fasanara Capital, një fond me bazë në Londër i përqendruar në FinTech dhe tregtisë në zhvillim dhe i mbështetur nga investitorë të njohur si Goldman Sachs, Deloitte, Scalapay dhe Twig.
Platforma “Hajde” bën dërgesa të shpejta dhe efikase të ushqimeve brenda një ore. Ajo nisi dërgesat e para të shpejta në prill 2021 në tregun shqiptar dhe u zgjerua në Kosovë në gjatë tetorit 2021.
Ky investim do të ndihmojë kompaninë të zgjerohet në dërgesat e restoranteve, të përshpejtojë ofrimin e shërbimit të saj në Maqedoninë e Veriut si hapi i parë i zgjerimit, si dhe të rregullojë mirë gamën e produkteve të saj të udhëhequra nga shërbimet. Kjo do të konsolidojë pozicionin e saj në sektorin e ushqimit me porosi sipas kërkesës në Ballkan dhe Evropën Juglindore.
Duke folur për planet e afërta të kompanisë, shefi ekzekutiv dhe bashkëthemelues i platformës “Hajde”, Erli Çupi tha se kompania që ai drejton synon të zgjerohet në Maqedoninë e Veriut.
“Gjatë udhëtimit tonë intensiv dhe me rritje të shpejtë në Shqipëri dhe Kosovë, ne kemi dëshmuar një përshtatje të shpejtë dhe një përgjigje jashtëzakonisht pozitive ndaj shërbimeve tona”, tha Çupi.
Aktualisht, “Hajde” kryeson si aplikacioni numër 1 për kategorinë e dërgesave te ushqimeve dhe pijeve në rajon, me rritje të shpejtë e të qëndrueshme, duke tërhequr vëmendjen e investitorëve. /Telegrafi/