Ministri Hajrulla Çeku ka mbajtur diskutim me komunitetin artistik në Mitrovicë.
Pëmes një njoftimi në Facebook, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar për aktivitetin e mbajtur, transmeton Fol Drejt.
“Pas Prishtinës ka filluar cikli i diskutimeve në qytetet tjera të Kosovës.
Mbrëmë takimi i mbajt në qytetin e Mitrovicës, një prej qendrave më të mëdha në Republikën e Kosovës dhe burim i shumë mekanizmave, organizatave dhe institucioneve kulturore.
Qëllimi i këtyre diskutimeve është që të dëgjohet zëri dhe propozimet e vet komunitetit kulturor për të parë këndvështrimin e tyre se si të rregullohet dhe zhvillohet më tej kultura në vendin tonë.
Ministri Çeku tha se ndjehet i lumtur që adresa e parë pas Prishtinës është Mitrovica, si një zgjerim i diskutimit me komunitetin për nevojat e reformës së përgjithshme kulturore e cila ka për bazë koncept dokumentin për kulturën si një udhëzues i përgjithshëm që do të parasheh rregullimin e legjislacionit, politikat lidhur me organizimin e institucioneve publike të kulturës, raportin e shtetit me skenën e pavarur kulturore, një vizion të ri për zhvillimin kulturor në Republikën e Kosovës.”
Aty flitet edhe për temat e diskutuara:
“Temat që u diskutuan ishin fondi për kulturën, gjetja e modaliteteve më të mira për hartimin e politikave kulturore, qasja e zhvillimit strategjik kulturor nga niveli qendror në atë lokal apo anasjelltas, investimet në infrastrukturën fizike, rinovimin e infrastrukturës ekzistuese, ndërtimin e objekteve të kulturës, harmonizimi i kuadrit artistik me tregun e punës, rritja e përkrahjes për punonjësit e artit në nivelin lokal, rinovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, përmirësimin e listës së trashëgimisë duke mënjanuar objektet që nuk ekzistojnë, rritje e komunikimit mes muzeve në Kosovë, përmes krijimit të një rrjeti të muzeve lokale, kultura sportive tek fëmijët, rregullimi i çështjes së ansambleve të teatrove të qyteteve, përgatitja e kuadrove të reja teknike deficitare që janë pjesë e realizimit të aktiviteteve kulturore, bashkëpunimi mes teatrove duke rritur konkurrencën mes tyre nëpërmjet organizimit të ndonjë festivali, mbështetja e teatrove alternative, jo vetëm e teatrove profesioniste, mungesa e hapësirave kulturore, si kinematë, stimulimin e të rinjve që të merren më shumë me kulturë, zhvillimi i aktiviteteve dhe artit edhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, galeria e artit të qytetit, rritja e aktiviteteve kulturore edhe në fushën e folklorit dhe tematika tjera që ndërlidhen me fuqizimin dhe përmirësimin e jetës kulturore në rajonin e Mitrovicës.”
Më poshtë e gjeni postimin e plotë të MKRS-së./FolDrejt/