Moska tha se pasi Britania ndaloi fluturimet ruse përmes hapësirës së saj ajrore, Londra refuzoi të zgjidhte mosmarrëveshjet përmes konsultimeve.
Në hakmarrje për ndalesën britanike të fluturimeve ruse në hapësirën e saj ajrore, Rusia ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për transportuesit ajrorë britanikë, përfshirë fluturimet transit, njoftuan autoritetet ruse, shkruan AA.
Rosaviation, Agjencia Federale Ruse e Transportit Ajror, në deklaratën e saj tha se kanë kërkuar konsultime me autoritetet britanike për kufizimet e vendosura të enjten ndaj fluturimeve ruse në hapësirën ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, të cilat u vendosën si pjesë e sanksioneve pasi Rusia nisi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, por një gjë e tillë u refuzua.
Ndalimet e fluturimeve britanike vlejnë për “fluturimet e avionëve në pronësi, me qira ose të operuara nga një person i lidhur me Mbretërinë e Bashkuar ose i regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar në pikat në territorin e Federatës Ruse, përfshirë fluturimet transit nëpër hapësirën ajrore të Federatës Ruse”, dhe hyri në fuqi sot në orën 11:00 sipas kohës lokale së Moskës, tha Rosaviation, transmeton Fol Drejt.
Të enjten, Britania e Madhe njoftoi Rusinë për kufizimet në fluturimet e linjave ajrore ruse në hapësirën ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, si pjesë e sanksioneve të reja.
Rosaviation e kritikoi vendimin, duke thënë se kjo shkel marrëveshjen midis Rusisë dhe Britanisë që parashikon bashkëpunim “për të gjitha çështjet e nevojshme për të ofruar funksionimin e sigurt dhe efikas të linjave kontraktuale” dhe mbajtjen e konsultimeve “në rast të ndonjë vështirësie në funksionimin e këtyre linjave”.
Marrëveshja parashikon që linjave ajrore të dyja vendeve “t’u jepen të drejta të barabarta që të operojnë linjat kontraktuale”./FolDrejt/