Televizioni shtetëror i Iranit ishte shënjestër i një sulmi hakerësh të shtunën gjatë transmetimit të programit qendror të lajmeve.
Fjalimi i udhëheqësit suprem Ajatollah Ali Khamenei në lajmet e mbrëmjes u ndërpre shkurtimisht nga një foto e tij i rrethuar nga flakët pranë një fotografie të 22-vjeçares së fundit të vdekur Mahsa Amini dhe tre grave që thuhet se u vranë gjatë protestave të organizuara pas vdekjes së saj, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Gra, jetë dhe liri. Bashkohuni me ne dhe ngrihuni në këmbë”, dëgjohej në videon e shfaqur.
Grupi i hakerëve Edalat-e Ali, i cili ka kryer më parë sulme kibernetike kundër qeverisë iraniane, mori përgjegjësinë për sulmin e fundit.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve ISNA, transmetimi i lajmeve të mbrëmjes u ndërpre pasi u sulmua nga një grup hakerësh.
Në Iran vazhdojnë protestat për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u arrestua nga “Policia shtetërore e Moralit” të Teheranit për dyshimin se kishte shkelur kodin islamik të veshjes, duke shkaktuar protesta që janë përhapur në të gjithë Iranin dhe botën.
Policia mohon abuzimin me Aminin, duke thënë se ajo vdiq nga një atak në zemër, por familja e saj pretendon se ajo nuk kishte pasur asnjë sëmundje të mëparshme të zemrës. Autoritetet kanë premtuar një hetim të plotë për vdekjen e gruas së re.
Incidenti u dënua nga shumë liderë botërorë dhe grupe të të drejtave të njeriut, përfshirë SHBA-në, e cila sanksionoi “Policinë e Moralit” të Iranit në përgjigje të “abuzimit dhe dhunës ndaj grave iraniane dhe shkeljeve të të drejtave të protestuesve paqësorë iranianë”./FolDrejt/