Të paktën 4 civilë janë vrarë, ndërsa një tjetër është plagosur në sulmin e grupeve terroriste nën kontrollin e regjimit të Assad-it në Siri dhe mbështetësit e tij, Iranit, ndaj një deposë së karburantit në perëndim të provincës së Halepit.
Forcat e regjimit të përbëra nga ushtria e Assad-it dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani të vendosura në fshatin Sheikh Ali në perëndim të Halepit, kanë shkelur armëpushimin pasi kanë sulmuar një depo karburantesh në fshatin Termenin të Halepit që gjenden brenda kufijve të Zonës së Deeskalimit të Idlibit.
Sipas informacionit të marrë nga burimet e mbrojtjes civile, në sulm kanë humbur jetën 4 civilë, ndërsa një tjetër civil i plagosur është marrë në trajtim në spital, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
– Situata në Idlib
Turqia, Rusia dhe Irani, në takimin e zhvilluar në vitin 2017 në Astana, vendosën formimin e katër “zonave të deeskalimit” në territorin që nuk ndodhej nën kontrollin e regjimit të Assad-it.
Forcat e regjimit, terroristët me mbështetje iraniane dhe Rusia vazhduan sulmet dhe morën nën kontroll tri nga zonat dhe u drejtuan drejt Idlibit. Edhe pse Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin, sulmet u intensifikuan sërish në maj 2019. Armëpushimi respektohet në masë të madhe pas marrëveshjes së re që Turqia siguroi më Rusinë më 5 mars 2020.
Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në zonat pranë kufirit me Turqinë për t’u larguar nga sulmet.