Libri poetik “Qumështi i poezisë” e autores Dije Demiri Frangu përbën diferencën e shkrimit të poezive brenda korpusit të veprave të vet poetes si dhe të korpusit letrar të shkrimit të poezisë së sotme shqipe. Duke qenë se poetja paraqitet si krijuese e letërsisë për fëmijë, letërsi e cila modifikohet dhe operon me konvenca e teknika teorike të modelimit të shkrimit të cilat kanë për bazë botë e fëmijëve dhe krijimin e botës së tyre naive iluzioniste me dramacitet e shumë optimizëm.
Nga Halim Halimi
Libri poetik “Qumshti i poezisë” bën tejkalim të ndjeshëm të ketij sensibiliteti dhe të kësaj trajtshmërie shkrimi duke trajtuar botën e të rriturëve. Ky kalim metaforik bart me vete edhe interpretimet e kalimit nga një botë e sinqeritetit në atë të hipokrizisë nga një botë e dashurisë në atë të urrejtjes nga optimizmi tek pesimizmi nga një fund i lumtur në një fund që flet për vdekjen.
E gjitha kjo realizohet me një vetëdije të lartë krijuese e artistike ku realizimi stilistik/strukturor e ai semantik/kuptimor koekzistojnë në paraqitjen e realitetit e fantazisë krijuese të poetes. Në vazhdën e kësaj theksojmë edhe pjekurinë dhe moshën e poetës për faktin e kalimit të një kohe të gjatë me botën letrare e të shkrimit ku ajo avancon ndjeshëm zotrimin dhe përvetësimin e përdorimit të figurave poetike ku çdo detaj projektohet me kuptim dhe asocion në përmbajtje të caktuar.
Definimi si libër poetik vjen si rezultat i realizimit të rrjetit metaforik ku poezitë janë të lidhura njëra me tjetrën në realizimin e idesë strukturale e semantike nga ajo e para tek ajo e fundit. Borgesi pohonte se poetët duhet lexuar dy herë njëherë në rini dhe njëherë në pleqëri, sepse në të dyja rastet prodhohen ndjesi tjera. Duke krijuar analogji interpretuese me këtë konstatim pohojmë se libri poetik “Qumështi i poezisë” është rezultat i një meditimi të thellë dhe një gjykimi racional të njohjes së qenies njerëzore që mjet shprehje poetja zgjedhë poezinë.
Ky libër poetik trajton një larmi motivesh që jepen me një inovacion dhe sensibilitet të ri të modelimit të cilin mund konsiderojmë si një realitet që prodhon vrerin dhe për të kaluar në poezi me figurën e qumështit në të dy rastet duke u cilësuar si domosdoshmëri ekzistenciale.
Libri hapet me poezinë Neroni simbolin e së keqes/urrejtjes/tmerrit dhe poetja identifikon ndjeshëm karakterin e tij të kultivuar edhe sot në shoqërinë bashkëkohore që reflekton e ndikon mbi lulet/ëndërrat/ujin dhe çdo gjë të dashur për jetën. Gjendja dhe realiteti është preokupim për poeten duke e parë shoqërinë që rrugëton drejt dehumanizimit antivlerës të një rreziku të prodhuar nga vet njeriu në një shekull të teknologjisë dhe informimit. Poetja deklaron dhe tipizon variacionet e konstruktimit të një realiteti ngulfatës që përcillet me drojë e shqetësim të madh ku shpirti nuk ka se ku të gjejë prehjen:
Të ikësh në një shekull tjetër s’ke si
Ditët të torturuara me plot vragë vinë
Dritat të kuqe të verdha të gjelbra
Luajnë në shtrat me pagjumsinë.
Poetja identifikohet me jetën/artin/dashurinë/ frymën e pavdekësinë dhe i gjithë libri lëvizë në dy tabore antitetike me atë të urrejtjes/regresit/ antivlerës/ luftës që projektohen si antihumane dhe rezultat i dashakeqësisë dhe mizorisë njerëzore.
Duke frymuar mes vargjesh e figurash, poezia bëhet derë e ikjes dhe e tëhuajsimit sforcim i personales dhe kalimit në frymë universale. Intenca për afirmimin e një tradite pozitive për jetën e afirmon ndjesinë e hollë emocionale të dashurisë, kujtimit dhe të frikës që e shquajnë njeriun. Vrojtimi i një bote të çoroditur ku fati i saj i brisht shpeshherë është sakatosur e determinuar nga njerëz psikopat që me gjakun dhe vrasjet ushqyen ambiciet e tyre politike.
Poetja me vetëdijen e lartë të gjykimit racional të zhvillimit real socio/politik krijon imazhe nga figura historike të cilat rimodelohen dhe bëhen ekzistente me veprimtarinë e tyre dhe konotimet negative që i kanë të cilët paraqesin rrezikun e një të ardhme për botën:
Kur më ik zëri – frika për botën më zë
Në flakë muzash fshihem në lule bagremi
Kam frigë nga ringjallja e Hitlerit
Nga retorika e Gebelsit tutem
Inovacionin dhe qasjen unike e hetojmë edhe në trajtimin e motiveve tradicionale të cilat barten e rifunksionalizohen për të prodhuar ndjesi të reja. Shembull tipik paraqet motivi i dashurisë së nënës një dashuri universale e e përjetshme në të cilën artikulohen ndjesitë me vargjet maestrale të një emocioni që ngritet në vlerë artistike. Poezia “Kornizën e theva” ku portretohet në mënyrë sinkretike dashuria ndaj nënës me nuanca të dhimbjes/mallit/dashurisë dhe revoltës ndaj vdekjes dhe shuarjes.
Zgjodha një kornizë të zezë për foton tënde – nuse
Fshiva pluhurin e fotos të rashë fytyrës – nënë
Më kish pas marr malli me më rrëshqit shuplaka
Faqeve e qepallave tua që i more të zeza dhe atje
…
Të më ndjesh sërish si dikur të më flasësh nënë
Vetëm ti m’i shkymje flakët
Atdheu është kultura e kultura është identiteti, ku gjithmonë ka një rrugë për t’u çmuar e nderuar. Poetja atdheun e përjeton dhe e poetizon si kulturë shkrimi e ndjesie që kap rrënjët e historisë së zhvillimit identitar me poezitë: “Gjama e eshtrave” Pjetër Bogdanit, “Mbillje lule në fund të liqenit” Lasgush Poradecit, “Hija e fjongos”, Musine Kokalarit dhe poezia dedikuar arbëreshëve të Italisë “Me kunj kruajmë dhëmbët” etj. Gjitha këto poezi janë kërkim i shenjave identitare e nacionale pasqyrë e një kulture të lartë të kultivuar me figura klasike/kanonike. Emocionet janë lëvizëse duke mos munguar edhe toni kritik i një frike dhe shqetësimi që manifestohej që me Seremben e De Radën se kultura e lashtë arbëreshe e shqiptare po ikën nga kujtesa po zhbëhet me harresën:
Flamurin e Arbrit kush do ta lexojë?
Çdo ditë me kunj të hollë druri
Nxjerrin nga dhëmbët mish pulash braziliane
Rrallë ngushëllojmë Skenderbeun e Pafan.
Duke qenë se poetja ka një erudicion të thellë kulturor, reflekton duke sinkretizuar tri kohë të cilat nuk shkëputen nga njëra/tjetra por determinojnë njëra/tjetrën potencon transformimin e madh njerëzor. E kaluara konceptohet si një vlerë e etabluar me një regres që identifikohet me të tashmen dhe e ardhmja që jepet me vizion plot shqetësim e drojë drejt një fundi dhe krijimit të një shoqërie ujqërish ku nuk mund të flitet më për dashurinë dhe humanen.
Poezia “Thonjtë prihen edhe të martave” me një titull shenjues metaforik pohon:
Çdo ditë po vdes diçka në sytë e kohës
S’rrëfehet më E Bukura e Dheut
…
Zogjtë të sëmurë të vdekur futen në poezi
Shumë zjarre po ndizen shumë ujëra po shterin
…
Thonjtë kanë nisur prihen edhe të martave
Prej kur nga dikah piku namë e madhe
Poezia ngrit kultin e bestytnisë provokon dhe zgjon një botë të së kaluarës si traditë dhe mënyrë jetese që besohejë fuqishëm në të. Shkëputja nga kjo seç na flet për një “namë të madhe” që rezulton nga kontestimi dhe neglizhimi i asaj që e stërtestoi e nuk e theu koha. Një botë e re që lë çdo vlerë mbrapa është e destinuar të vdes. Vdekja e diçkaje në sytë e kohës, zogjtë e sëmurë, ujërat që shterrin janë metafora tipike me një shtresime e shenjime të kësaj që pohuam.
Kundera pohonte se; nostalgjia nuk ka parime estetike. Poetja realizon poezi me një sensibilitet e butësi në vargjet që sjellin kujtimet e saj. Në një realitet të cilin e jeton poetja, nostalgjia ndodh për t’u bërë edhe e vetmja strehë ku shpirti gjenë paqen e ngushëllimin.
Poezitë si “Shpërndanim habi” dedikuar shoqeve të gjeneratës dhe poezia “Lagja e vjetër” jepen potencialisht me një kujtesë të detajshme të një drame të një kohe që ka kaluar.
Krijonim psikozën e rinisë bënim hipnozën
Ishte koha kur dashurohej përnjëmend
Njeriu për njeriun është kujtim dhe botë ku e matë e mbështetë veten. Poezia shpalosë me çiltërsi dhe pa ndonjë drojë jetën personale, dashurinë dhe afërsinë për jetën e tjetrin. Për të vazhduar me poezinë e përjetimit nga afër të lagjes së vjetër, ku e tashmja nuk e impresionon asgjë. Çdo cep ruan nga një kujtim që me mallin e mërzinë në metaforat që flasin për fundin e një kohe që nuk do të kthehet kurrë më:
I rashë këmbëzbathur lagjes së vjetër
Takat më nuk trokëllinin
Vetëm rrahjet e zemrës
Mund t’mi kenë dëgjuar muret e zogjtë …
…
Nuk qava
Gëlltita një grusht ajër
Në vend të pendimit
Poezitë e fundit të librit poetit trajtojnë dhe flasin për luftën me ciklin 1999 dhe poezitë Ditët që flasin për vdekjen e mundshme, ndërlidhen me poezinë Neroni ku libri fillon dhe mbaron me vrerin e trishtimin e jetës. Poezitë e fundit vendosin në fokus luftën dhe përjetimin e dhimbjes nga lufta e cila shprehet me çudinë se njeriu bëka edhe mizori të tilla. E gjitha kjo para syve të botës e kundrejt çdo egërsie e sfidimi të çdo ligji të natyrës. Poetja ndjen nga afër robërinë dhe tmerrin. Atdheu, toka ku shpirti pushon në paqe, për poeten bëhet ferri i një bote të çoroditur.
Mirë që pat pëlcitur lufta atë pranverë kishte lule plot
Me i mbulue fytyrat e varreve se i patën bërë shumë
Forca krijuese e poezive në këtë rast mbetet paradoksi e ironia që ballafaqon natyrën që bën pranverën/lulet/dashurinë paqen dhe njeriu që bën varret e vdekjen. /FolDrejt/