Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka kërkuar më shumë transparencë nga Kryeministri Kurti lidhur me propozimin franko-gjerman, të cilin Kurti sot tha se e ka pranuar, shkruan Fol Drejt.
“Transparenca nuk do të duhej të mbetet peng i vullnetit të partisë në pushtet, është e detyrueshme dhe obligative që Kryeministri të raportojë në Kuvend, para të zgjedhurve të popullit, duke qenë se Kosova është shtet parlamentar.”, shkroi Halimi në Facebook.
Ajo shtoi se, deklarata e Kryeministrit që propozimi franko–gjerman është pranuar nga ana e tij tregon për një qasje personale e jo agjendë shtetërore, prandaj Qeveria është mbyllur hermetikisht për publikun dhe për pasojë po shkakton mosbesim e mëdyshje. /FolDrejt/