Pa Albin Kurtin e Donika Gërvallën, diskutimi në Kuvend për politikën e jashtme nuk ka kuptim.
Kësisoj, kryesia e legjislativit e caktoi seancën për këtë temë më 12 prill, kur edhe kryeministri, edhe shefja e diplomacisë do të mund të jenë prezentë në sallë.
Nga Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë se ky debat i kontribuon diplomacisë, pasi kanë kritika për qeverinë si po e udhëheqin atë, njofton Klan Kosova.
Veç, kësaj, deputeti Besnik Tahiri kërkoi edhe intensifikim të agjendës legjislative të ekzekutivit. Sipas tij, Ligji i Pagave dhe plot të tjerë me rëndësi janë lënë anash.
Megjithatë, disa nisma ligjore do të trajtohen në seancën e rregullt të së enjtes.
“Ndryshimi i Ligjit për Procedurë Përmbarimore si dhe shqyrtimi i Ligjit për Zyrtarë publikë”, njofton shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
Ligji për Festat Zyrtare nuk është në pikat e hershme për diskutim, edhe pse zyrtarët e shtetit pushojnë në pesë të hënat e ardhshme.