Khalil Al-Hayya, përgjegjësi i zyrës së Hamasit për marrëdhëniet islame dhe arabe, tha se me regjimin e Bashar Al-Asadit në Siri po përpiqen të rindërtojnë marrëdhëniet të cilat janë prishur që nga viti 2012.
Zyrtari i Hamasit, Al-Hayya, ka folur për gazetën Al-Akhbar e cila publikohet në Liban dhe e cila njihet për afërsinë e saj me Hezbollahun, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke njoftuar se brenda dhe jashtë Hamasit janë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë për t‘i dhënë fund diskutimeve për vendosjen e lidhjeve me regjimin e Asadit në Siri, Hayya tha se si rezultat i kësaj kanë vendosur që të punohet për rindërtimin e marrëdhënieve me Damaskun.
Hayya nuk ka dhënë detaje lidhur se çfarë hapash do të ndërmerren dhe se në çfarë niveli do të zhvillohen marrëdhëniet me regjimin e Asadit.
Hamas në vitin 2012, kur shpërtheu lufta e brendshme në Siri, bëri deklarata në mbështetje të popullit që u kryengrit kundër regjimit të Asadit. Pas kësaj, marrëdhëniet mes Hamasit dhe regjimit u shkëputën.
– Vizita e Haniyeh-it në Liban
Kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, më 21 qershor vizitoi dhe zhvilloi një sërë takimesh në kryeqytetin Beirut të Libanit.
Në kuadër të takimeve, lideri i Hamasit u takua me sekretarin e përgjithshëm të Hezbollahut aleatit të Iranit, Hassan Nasrallah dhe diskutoi bashkëpunimin në çështjen e Palestinës./FolDrejt/