Militantët e Hamasit në Rripin e Gazës hodhën disa raketa në drejtim të Jerusalemit, duke i rritur edhe më shumë tensionet midis Izraelit dhe palestinezëve.
Raporte për të plagosur nuk ka, edhe pse Parlamenti i Izraelit u evakuua.
Udhëheqësit e Hamasit kërcënuan se do të sulmojnë përsëri, pasi qindra palestinezë u plagosën më herët në përleshje me policinë izraelite.
Izraeli tha se ka vrarë tre militantë të Hamasit.
“Kemi nisur, e përsëris kemi nisur, të sulmojmë caqet ushtarake në Gaza”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Jonathan Conricus.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, tha se nëntë persona – përfshirë disa fëmijë – kanë vdekur në sulmet izraelite.
Më shumë se 300 palestinezë janë plagosur në konfrontimet me policinë izraelite jashtë xhamisë al-Aqsa të hënën.
Jerusalemi është vendi më i ndjeshëm në konfliktin – të vjetër disa dekada – midis Izraelit dhe palestinezëve.
Krahas rëndësisë së tij fetare, janë edhe pretendimet kombëtare.
Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe e konsideron të gjithë qytetin si kryeqytet të tijin, edhe pse ai nuk njihet si i tillë nga shumica e vendeve të tjera.
Palestinezët, në anën tjetër, e shohin gjysmën lindore të Jerusalemit si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.