Hamasi tha në një deklaratë se kishte lëshuar 130 raketa në drejtim të Tel-Avivit dhe rrethinave të tij.
Krahu i armatosur i Hamasit tha se e kishte ndërmarrë këtë akt si kundërpërgjigje ndaj sulmit ajror izraelit kundër një kompleksi banimi 13 katësh në Rripin e Gazës, i cili u shemb të martën mbrëma pas goditjes.
Shtëpia e Bardhë dënoi të martën sulmet me raketa nga Hamasi dhe grupe të tjera kundër objektivave në Izrael dhe tha se Izraeli ka një të drejtë legjitime për t’u vetëmbrojtur.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se kishte folur me partnerët izraelitë dhe me zyrtarët palestinezë për gjendjen e krijuar dhe se kishte parë disa hapa inkurajuese si nga pala izraelite edhe nga ajo palestineze.
Në Gazë, pamjet video të kompleksit të goditur nga sulmi ajror izraelit tregonin shtëllunga tymi të dendur, ndërsa katet e sipërme ishin ende të paprekura derisa u shembën në tokë.
Izraeli dërgoi 80 avionë për të bombarduar Gazën të martën dhe grumbulloi tanke në kufi ndërsa breshëritë e raketave goditën qytetet izraelite për të dytën ditë, duke thelluar një konflikt në të cilin kanë humbur jetën të paktën 28 njerëz në enklavën palestineze të Gazës dhe dy në Izrael janë vrarë.
Shpërthimi i luftimeve, më i rëndi që nga viti 2019 midis Izraelit dhe fraksioneve të armatosura në Gaza erdhi pas përplasjeve mes palestinezëve dhe policisë izraelite në Xhaminë al-Aksa të Jeruzalemit të hënën.
Qyteti i shenjtë i Jeruzalemit ka qenë i tensionuar gjatë muajit të agjërimit musliman të Ramazanit, sidomos pas kërcënimit të një vendimi gjykate për dëbimin e palestinezëve nga shtëpitë që pretendohen nga kolonët hebrenj.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të intensifikojë sulmet në Gaza, një enklavë prej 2 milion banorësh, në përgjigje të sulmeve me raketa, të cilat vazhduan deri në orët e para të mbrëmjes.
Zyrtarët thanë se këmbësoria dhe forca të blinduara po dërgoheshin për të përforcuar tanket tashmë të grumbulluara në kufi, duke evokuar kujtimet e ndërhyrjes së fundit izraelite në Gaza në vitin 2014 për të ndalur sulmet me raketa.
Në luftën që pasoi dhe që zgjati shtatë javë, në Gaza u vranë më shumë se 2,100 persona, sipas ministrisë së shëndetit të Gazës, si dhe 73 izraelitë, ndërkohë që mijëra shtëpi në Gaza u rrafshuan.
Të martën, para se të shembej kompleksi i banimit, ministria e shëndetësisë në Gaza tha se të paktën 28 palestinezë, përfshirë 10 fëmijë, ishin vrarë dhe 152 ishin plagosur nga sulmet izraelite që nga e hëna, kur Hamasi lëshoi raketa drejt Jeruzalemit, për herë të parë që nga viti 2014.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) u bëri thirrje të gjitha palëve që të tërhiqen dhe u kujtoi atyre kërkesën e ligjit ndërkombëtar që të përpiqen të shmangin viktimat civile.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian dënoi sulmet me raketa nga Gaza në Izrael por gjithashtu tha se ishte i shqetësuar për kërcënimin e dëbimit të detyruar të banorëve palestinezë nga lagjja Sheikh Jarrah e Jeruzalemit Lindor./VoA