E përditshmja çeke “Seznam Zprav” e ka cilësuar si “hap historik”, vendimin e Presidentit Pavel për emërimin e ambasadorit në Kosovë, shkruan Fol Drejt.
“Republika Çeke ka një ambasadë në Prishtinë, por asnjëherë më parë në pesëmbëdhjetë vitet e pavarësisë së Kosovës nuk e ka drejtuar këtë zyrë një diplomat çek me titull të plotë. Kjo tani do të ndryshojë” – shkruan Zprav.
Politika e jashtme çeke po përballet me një ndryshim historik. Për herë të parë ndonjëherë, Praga do të dërgojë një ambasador me të drejta të plota në Kosovë. Deri më tani këtë e ka penguar kundërshtimi “tandem” i dy ish-presidentëve, Václav Klaus dhe Miloš Zeman.
Republika Çeke e njohu Kosovën në vitin 2008, kur vendi shpalli pavarësinë. Por ishte gjithmonë një çështje e ndjeshme – për shkak të mosmarrëveshjes me Serbinë dhe, si rrjedhojë, lidhjeve të saj të ngushta me Rusinë.
“Zoti President është i gatshëm ta ndërmarrë këtë hap”, u përgjigj Eva Hromádková nga ekipi i komunikimit mediatik të presidentit, kur Seznam Zpráv pyeti nëse Pavel do të emëronte një ambasador për Kosovën, njofton më tej artikulli.
Pikëpamjet e Pragës zyrtare kanë ndryshuar ndaj Kosovës, sidomos pas përpjekjeve intensive të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), për t’i shtyrë dy vendet e Ballkanit Perëndimor, drejt një pajtimi të përgjithshëm./FolDrejt/