Në qytetin e alfabetit shqip, në Manastir, është hapur biblioteka në gjuhën shqipe. Nismëtare e themelimit të kësaj biblioteke ka qenë Emira Selimi, studente shqiptare nga Shkupi. Selimi për më shumë se një vit kishte filluar të bëjë thirrje për grumbullimin e librave shqip që të pasurohet fondi librar për bibliotekën e vetme shqipe në Manastir.
Shkruan: Gëzim Olluri
Qyteti i alfabetit shqip, Manastiri, nga tash e tutje do ta ketë Bibliotekën Shqipe. Organizimi i nisur nga Emira Selimi tashmë është shndërruar në realitet. Shumë shqiptarë brenda e jashtë atdheut i janë përgjigur thirrjes dhe kanë dhuruar literaturë shqipe në vazhimësi që biblioteka shqipe në Manastir të finalizohet.
“Faleminderit Kombi im, ju e themeluat bibliotekën e parë shqipe në Manastir. Kjo Bibliotekë sot u hap”, ka shkruar në rrjetin e saj social në “Facebook”, prijatarja Emira Selimi. Biblioteka Shqiptare me libra shqip do të veproj brenda hapësirave në Muzeun e Alfabetit Shqip.
Manastiri është qytet me peshë historike për kombin shqiptar, për gjuhën shqipe dhe për kulturën shqiptare. Deri më tash nuk kishte bibliotekë shqipe. Manastiri do ta ketë bibliotekën e cila do të flet shqip dhe nga ku shqiptarët që jetojnë e veprojnë në Manastir mund të furnizohen me literaturë shqipe. Në këtë mënyrë është krijuar një urëlidhje të qëndrueshme me gjuhën shqipe.
Kujtojmë që alfabeti i gjuhës shqipe është njësuar në vitin 1908 në Manastir nga figura të ndritura nga të gjitha viset e Shqipërisë Etnike. Deri atë kohë, kishte disa alfabete shqipe që përdoreshin. Kështu, klubi shqiptar “Bashkimi”, nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, i mblodhi shqiptarët në Kongresin e Manastirit, duke e unifikuar alfabetin shqip që do ta përdornin të gjithë shqiptarët.
Kongresi udhëhiqej nga Mid’hat Frashëri, ndërsa kishte edhe personalitete të tjera shqiptare që shquheshin në veprimtaritë e tyre. Në kongres merrnin pjesë rreth 160 delegatë nga të gjitha zonat shqiptare e nga mërgata. Aty merrnin pjesë edhe Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Gjergj Qiriazi, Hilë Mosi, Thoma Avrami, Dom Ndre Mjeda dhe atdhetarë të tjerë që punon dhe vepronin për kombin shqiptar. /FolDrejt/