Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, në Galerinë e Arteve në Kumanovë mbajti fjalim në hapjen e ekspozitës “Monumentet sakrale bizantine dhe postbizantine në Kumanovë”.
Para mysafirëve të pranishëm, në mesin e të cilëve edhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministri Ismaili theksoi se Kumanova – qyteti i kulturës për vitin 2019, mund të krenohet me trashëgiminë e pasur kulturore të mbi dyzet tempujve mesjetarë.
“Kumanova dhe rrethina e Kumanovës mund të krenohen me monumentet sakrale, përkatësisht të gjitha kishat dhe manastiret e periudhës bizantine dhe postbizantine, si dhe të dyja xhamitë e periudhës osmane, të cilat janë pjesë e trashëgimisë së pasur kulturore”, theksoi Ismaili.
Ai shtoi se vizitorët në ditët në vijim do të jenë në gjendje ta shijojnë artin e arkitekturës sakrale, të plotësuar nga vizatimet e kompozimeve të rëndësishme të pikturës afreske, si dhe nga arabeskat e xhamive dhe kopjet afreske të tempullit të Staro Nagoriçanit.
Me respekt,
Ministria e Kulturës