Sot në ora 12:00 është hapur Panairi i 23-të i Librit “Prishtina 2023” me moton “Libri triumfon”.
Panairi është rganizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-20:00. Panairi do të mbyllet më 11 qershor në orën 18:00.
Në këtë panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, ndërsa numri i titujve të rinj do të jetë rreth 2000, kurse numri i titujve të viteve të fundit rreth 6000.
Në hapjen që u bë sot, të pranishëm ndër të tjerë ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe shkrimtari Ismail Kadare, transmeton Fol Drejt.