Sot është hapur Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor i cili po mbahet në Shqipëri.
Pjesëmarrës në ceremoni ishin 35 ente botuese, si dhe akademikë e studiues nga të gjitha fushat dhe nga mbarë trojet shqiptare.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, foli për motivin dhe caqet e këtij panairi.
“Ky panair, që organizohet me iniciativën e dy akademive tona, të Shqipërisë dhe të Kosovës, ngjalli menjëherë interesimin e gjithë botuesve të librit akademik dhe shkencor: në universitete dhe qendra e institucione të tjera të kërkimit shkencor, në entet botuese publike e jopublike. Ky është një panair me fushë interesimi të përcaktuar qartë: botimet më të fundme shkencore në gjithë hapësirën shqiptare. Janë 33 subjekte akademike-universitare dhe subjekte private që i ka bashkuar ky panair, që përfaqëson manifestimin më të madh të deritashëm për këtë fushë të gjerë dhe delikate botimesh. Kemi të pranishëm botime të studiuesve tanë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe nga bota arbëreshe”, tha ai.
Gjinushi e sheh këtë panair si mundësi të shkëlqyer për të krijuar marrëdhënie të re midis botuesve dhe lexuesve .
“Panairi është një rast i shkëlqyer për të krijuar një marrëdhënie të re midis botuesve e lexuesve, dhe kjo shkon në përputhje me strategjinë tonë të hapjes së përgjithshme ndaj sistemit të kërkimit shkencor dhe ndaj të gjithë faktorëve që janë të interesuar për t’u bërë pjesë e tij. Në stendat e këtij panairi do të gjejnë me lehtësi burime e bibliografi të kohëve më të reja të gjithë ata që janë në formim e sipër, ata që janë regjistruar e do të regjistrohen së shpejti në shkollat doktorale”.
Në këtë panair do të përurohen mbi 50 tituj librash shkencorë nga studiuesit shqiptarë./FolDrejt/