Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se është hapur thirrja publike për Komuna për masat e Efiçiencës së Energjisë për ndërtesat e banimit social, shkruan Fol Drejt.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në aktivitetin e parë publik për hapjen e thirrjes për investime në efiçiencë për ndërtesat e banimit social, në kuadër të Pakos Emergjente të Bashkimit Evropian, dhe ku të ftuar ishin edhe kryetarët e komunave, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
“Fjalën e tij kryeministri Kurti e nisi duke thënë se për më shumë se një vit po jetojmë në një kontinent të ndryshuar ku pasojat e agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë kanë tejkaluar kufijtë dhe janë shtrirë në gjithë Evropën. Këto pasoja siç tha më tej ai, nuk kanë cenuar vetëm vlerat e përbashkëta të kontinentit për liri dhe demokraci, mirëpo edhe shtyllat e mirëqenies tonë si, zhvillimi ekonomik e siguria energjetike.”, thuhet në raportin zyrtar.
Kurti citohet të ketë thënë se rruga drejt së cilës është nisur Kosova është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokratë, të cilët e përdorin për interesa të ngushta e në dëm të të përgjithshmes pikërisht këtë krizë energjetike të Evropës.
“Teksa foli në lidhje me këtë situatë, kryeministri deklaroi se kjo krizë ka rezultuar gjithashtu në një solidaritet drejt një sektori energjetik më të bashkuar e më të fortë, për Evropën si tërësi, por edhe për Ballkanin Perëndimor. Njëkohësisht, kryeministri tha se ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë euro për Kosovën për ballafaqimin me krizën energjetike është jetësim i kërkesave tona e i përkrahjes së Bashkimit Evropian për sektorin tonë energjetik.”, është shprehur Kurti.
Përveç kësaj, në aktivitetin e sotëm, Kryeministri ka përmendur masat e Qeverisë ku mbi 9,000 familje iu janë subvencionuar blerja e pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë muajve të dimrit, e po ashtu janë mbështetur në veçanti përfituesit e asistencës sociale, si dhe për herë të parë në vendin tonë, iu është dhënë mbështetje e veçantë nënave vetë-ushqyese. Krahas kësaj, për të nxitur kursimin e energjisë e për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, kryeministri shtoi se me mbi 120 milionë eurot e ndara Qeveria ka subvencionuar direkt faturat e energjisë elektrike për 208 mijë familje kursimtare dhe njëkohësisht janë subvencionuar tarifat e reja për secilën familje dhe biznes në vend që nga shkurti i vitit 2022.
Ai a theksuar se falë mbështetjes e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, këto masa të dëshmuara po i shumëfishojmë e ashtu edhe përfitimet për qytetarët e për bizneset e vendit tonë.
“Nga ana tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se në kuadër të planit emergjent prej 75 milionë euro që përkrahet nga Bashkimi Evropian, Ministria e Ekonomisë që nga ky vit do të fillojë zbatimin e masave për masat e efiçiencës së energjisë, që kapin vlerën prej 15 milionë euro. Për këtë grup, tha më tej ajo, kemi sektorin rezidencial dhe ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, për sektorin rezidencial, pra për familjet do t’i subvencionojmë pajisjet ngrohëse efiçiente, siç kemi bërë edhe vitin e kaluar, duke përfshirë këtu klimat / inventarët, kaldajat, stufat, një vazhdimësi e thirrjes së kaluar duke reflektuar në nevojat e qytetarëve, pajisjet efiçiente të tjera shtëpiake, që kanë potencial për kursim të energjisë, siç janë frigoriferët e të tjera dhe sistemet solare fotovoltaike dhe solare termike për ngrohje të ujit.”, thuhet në vazhdim të raportit.
Ndërkaq, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke folur për pakot mbështetëse nga Qeveria për qytetarin, tha se deri në fund të muajit shkurt nga familjet që kanë përfituar nga ky subvencionim, janë kursyer rreth 357 gigawat orë energji elektrike. ‘’Nëse merret një çmim i përafërt apo mesatar i kostos së importit përgjatë kësaj periudhe del që së paku 70 milionë euro import janë kursyer që konsiderojmë që megjithatë ka pasur një kthim mjaftë të mirë në investimin që e kemi bërë si qeveri, por edhe BE-ja në këtë rast për të mbuluar dhe për të vazhduar subvencionimin e kësaj mase’’, tha ai. /FolDrejt/
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Ju faleminderit e mirëmëngjesi të gjithëve,
Të nderuar ministra, Rizvanolli, Murati e Krasniqi,
Të nderuar kryetarë të komunave,
I nderuari z. Bianciardi,
I nderuari z.Ismajli,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Për më shumë se një vit po jetojmë në një kontinent të ndryshuar. Pasojat e agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë kanë tejkaluar kufijtë dhe janë shtrirë në gjithë Evropën, pasoja këto, të cilat nuk kanë cenuar vetëm vlerat e përbashkëta të kontinentit për liri dhe demokraci, mirëpo edhe shtyllat e mirëqenies tonë si, zhvillimi ekonomik e siguria energjetike.
Kjo e ka bërë tashmë të qartë se siguria e kontinentit tonë dhe siguria e secilit nga shtetet tona, nuk mund të jenë të pavarura nga siguria e jonë energjetike.
Rruga drejt së cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate, të cilët e përdorin për interesa të ngushta e në dëm të të përgjithshmes pikërisht këtë krizë energjetike të Evropës.
Mirëpo, kjo krizë ka rezultuar gjithashtu në një solidaritet drejt një sektori energjetik më të bashkuar e më të fortë, për Evropën si tërësi, por edhe për Ballkanin Perëndimor.
Këtë e kemi kërkuar me ngulm në të gjitha takimet e forumet ku kemi prezantuar Republikën tonë, në përballje me krizën e përbashkët të jemi front i bashkuar, si në vlera e qëndrime, ashtu edhe në masa e vendime.
Ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë euro për Kosovën për ballafaqimin me krizën energjetike është jetësim i kërkesave tona e i përkrahjes së Bashkimit Evropian për sektorin tonë energjetik.
Këtë pako financiare jemi siguruar që ta dizajnojmë në mënyrë të tillë që të zgjerojmë e të rrisim ndikimin e masave të cilat kemi ndërmarrë si Qeveri për t’i përkrahur e për t’i mbrojtur qytetarët tanë në përballje me krizën energjetike. Masa këto për rritje të efiçencës, ulje të konsumit e për mbrojtje të grupeve të cenueshme të qytetarëve tanë. Për një shoqëri më të barabartë, që në thelb është një ndër synimet kryesore të qeverisë sonë.
Përmes masave tona kemi mbështetur mbi 9,000 familje duke ua subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë muajve të dimrit. Kësisoj, kemi mbështetur në veçanti përfituesit e asistencës sociale, si dhe për herë të parë në vendin tonë, u kemi dhënë mbështetje të veçantë nënave vetë-ushqyese.
Krahas kësaj, për të nxitur kursimin e energjisë e për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, me mbi 120 milionë eurot e ndara kemi subvencionuar direkt faturat e energjisë elektrike për 208 mijë familje kursimtare dhe njëkohësisht kemi subvencionuar tarifat e reja për secilën familje dhe biznes në vend që nga shkurti i vitit 2022. Mbështetja jonë për qytetarë do të vazhdojë edhe pas vendimin të fundit të ZRrE-së, ku ndër të tjera do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 Kwh në muaj, kurse grupet e cenushme, siç janë familjet në asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë.
E me rreth 9 milionë euro kemi renovuar e bërë efiçiente 70 ndërtesa publike: shkolla, çerdhe të fëmijëve, qendra shëndetësore e stacione të zjarrfikësve. Duke u rritur kështu komfortin e duke u ulur konsumin e energjisë.
Gjatë dimrit që tashmë po e lëmë pas, kemi parë rezultate të menjëhershme të këtyre masave të cilat i kemi ndërmarrë si qeveri.
Falë mbështetjes e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, këto masa të dëshmuara po i shumëfishojmë e ashtu edhe përfitimet për qytetarët e për bizneset e vendit tonë.
Ju falemnderit.