Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se votimi për ndryshime kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë Veriore, është një ngjarje me peshë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor.
“Përshëndes votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, për ndërrimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë Veriore, si hap madhor në rrugën e integrimeve euro-atlantike të shtetit fqinj. Kjo ngjarje me peshë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor është shpresë që rajoni ynë po shkon drejtë paqës së përhershme. Përgëzoj homologun tim Zoran Zaev për vizionin e dëshmuar properëndimor dhe shqiptarët në Maqedoni për rolin kyç në këto ndryshime”, ka shkruar Haradinaj në Fejsbuk.
Ndryshe, pas një beteje të gjatë dhe të lodhshme, me shumë situata të panjohura që nga qershori i vitit 2018 kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, sonte më në fund Kuvendi i Maqedonisë dha dritë jeshile për ndryshimin e emrit të shtetit. U miratuan katër amandamentet që ndryshuan Kushtetutën e vendit dhe kur të hyjnë në fuqi, shteti do të quhet “Maqedonia e Veriut”.
Ky akt, Maqedonisë i siguron antarësim në NATO dhe datë bisedimesh me Bashkimin Evropian.