Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar përvjetorin e Lidhjes së Pejës dhe 107 vjetorin e rënies së Isa Boletinit.
Përmes një postimi në facebook, Haradinaj për Lidhjen e Pejës ka thënë se është njëra ndër etapat më të rëndësishme të historisë së Kosovës.
“Lidhja e Pejës e formuar më 1899 në krye me Haxhi Zekën, pas shumë vendimeve të rëndësishme që të forconte unitetin kombëtar në përpjekjet për të kundërshtuar copëtimin e tokave shqiptare, shpalli edhe Besën për një vit. Ky akt i Besëlidhjes na mëson se shqiptarët janë patriotë, të aftë që të dalin përtej interesave dhe inateve personale kur është në pyetje interesi i Atdheut”, ka thënë Haradinaj për Lidhjen e Pejës.
Ndërkaq, Isa Boletinin, Haradinaj e ka cilësuar jo vetëm si prijës popullor, por edhe frymëzues për ta dashur e vlerësuar lirinë dhe atdheun.
“Po ashtu, 23 janari na kujton heroin kombëtar Isa Boletini, cili identifikoi fatin e tij personal me fatin e Atdheut, besnikërinë dhe dashurinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.
Mbrojtësi i pavarësisë e komandant çetash, Isa Boletini nuk është vetëm prijës popullor, por edhe frymëzues për të dashur e vlerësuar lirinë dhe Atdheun.
Sot, në 107 vjetorin e rënies së tij, jeta e vepra e tij janë më madhështore se asnjëherë.”, ka thënë Haradinaj për Isa Boletinin./FolDrejt/