Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Ditën e Kushtetutes ka ftuar qeverinë aktuale me kryeministër Albin Kurtin, që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike.
“Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, ditën e miratimit të Kushtetutës. Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancin e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit.
Kjo Kushtetutë është motori i demokracisë dhe zhvillimit por edhe mburojë e fuqishme ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me apetite të autokracisë.”, ka thënë Haradinaj.
Sipas Haradinajt, Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli i saj paqedashës dhe nga skena politike e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese “edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike.”
“Ftoj edhe këtë qeveri që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite. Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës.
Urime dita e miratimit të Kushtetutës!”, ka shtuar tutje ai./FolDrejt/