Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar me rastin e 1 Majit, e njohur si Dita Ndërkombëtare e Punës.
Sipas Haradinaj, Dita Ndërkombëtare e Punës kësaj here Kosovën e gjen në pozitën më të rëndë në 24 vitet e fundit.
“Secilën ditë që kalon, vendi ynë është edhe më keq, punëtorët tanë më të diskriminuar, e qeveria edhe më e fjetur.
Kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar janë të fokusuar më shumë në grumbullimin e parave në thesarin e shtetit se sa në investime kapitale – aty ku hapen vende të reja pune, rriten rrogat dhe zhvillohet shteti.”, është shprehur Haradinaj në një postim në Facebook.
“Fuqia punëtore po ikë çdo ditë, vendi ynë po mbetet pa mjekë, pa inxhinierë, ekonomistë e pa mësimdhënës. Kosova rrezikon me mbetë edhe pa pjesëtarë të sigurisë sepse rinia po ikë!
Ngritja e çmimit të tatimit në pronë, afatizimet dhe lojërat me pagesa të tatimit, duhet të anulohen dhe të mendohet edhe për qytetarët.
Ftoj qeverinë që t’i ngritë pagat në sektorin publik, të gjejë modalitete për rritjen e pagave në sektorin privat, aty ku është goditja më e madhe nga inflacioni, si dhe më e rëndësishmja, të zhbllokojë buxhetin e shtetit.
Ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar!”, ka shtuar tutje Haradinaj./FolDrejt/